10:19 / E Hënë, 01 Qershor 2020 / indeksADMonline

Çerdhet publike në kryeqytet nesër hapin dyert për fëmijë

Çerdheve publike dhe atyre private u është dhënë drita e gjelbër për të nisur aktivitetin e tyre. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media mbrëmë tha se nga 1 qershori, çerdheve dhe kopshteve të fëmijëve u lejohet të nisin punën. Mirëpo pavarësisht këtij sinjali, sot kopshtet publike në kryeqytet nuk kanë pranuar fëmijë.

IndeksOnline ka vizituar sot çerdhen “Buzëqeshja” në kryeqytet për të parë nga afër nëse kanë pranuar fëmijë apo jo. Disa punonjës në këtë institucion kanë thënë se sot po përgatiten për të pranuar fëmijët nga dita e nesërme.

Mbrëmë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka lutur prindërit që të mos i dërgojnë të hënën fëmijët në çerdhe publike.

“Në konferencë për media të qeverisë u fol edhe për rihapjen e çerdheve. U përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor. Po ashtu u përmenden edhe rregullat strikte për çerdhet. Por nuk kemi marr asnjë informate zyrtare e as informatë mbi rregullat. Ne presim që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat, po shpresojmë sonte”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka thënë se çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje.

“Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri ti marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë”, ka shkruar Ahmeti./IndeksOnline/