75 Mall Live Search
20:53 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / MSH

Çerimagiq: BE-ja pa ofertë motivuese për palët në dialog

Mungesa e motivimit në formën e perspektivës evropiane, nga këndvështrimi i analistëve të Ballkanit Perëndimor, shihet si arsye kyçe që bllokon procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Adnan Çerimagiq nga Iniciativa për Stabilitet Evropian me seli në Berlin, ka nënvizuar se procesi i dialogut është redaktuar në menaxhim krizash. Në këtë kontekst, është vënë në pah se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen, pasi nuk sjellin përparim.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga këndvështrimi i ekspertëve për Ballkanin Perëndimor, shihet si i bllokuar moti, dhe arsyeja kryesore për këtë është mungesa e motivimit në formën e perspektivës evropiane, shkruan RTK

Analistë nga Iniciativa për Stabilitet Evropian me seli në Berlin vënë në pah se ka kohë që Bashkimi Evropian nuk ka ofruar një ofertë tërheqëse që do t’i motivonte palët të angazhoheshin seriozisht në procesin e normalizimit.

Në këtë kontekst, ata nënvizojnë se Bashkimi Evropian aktualisht merret më shumë me qetësimin e tensioneve sesa me krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme.

“Kur BE-ja nuk vepron në mënyrë proaktive, mbetet hapësirë për kriza dhe për aktorë të jashtëm që destabilizojnë situatën, siç kemi parë me ngjarjet në Banjskë apo tensionet në veri të Kosovës. E gjithë kjo tregon se pa një kuadër të qartë evropian, procesi vetëm sa mund të përkeqësohet”, tha Adnan Çerimagiq.

Në këtë kontekst, Çerimagiq thekson se duhet një ofertë e re dhe serioze evropiane për të dyja palët. Megjithatë, sipas tij, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk mund të sjellin përparim.

“Masat negative, si sanksionet, nuk sjellin rezultat. Ato duhej të hiqeshin shumë më herët, ndërsa BE-ja duhet të ketë një strategji të qartë për veprim në kontekstin e ri global. Nëse dëshiron rezultate, duhet të ofrojë një vizion të ri e realist për rajonin”, thotë Çerimagiq.

Në mungesë të takimeve në dialog, ekspertët vlerësojnë se BE-ja duhet të ndryshojë qasjen. Sipas analistit nga Berlini, pa një ofertë konkrete evropiane dhe vullnet politik nga të dyja palët, dialogu nuk mund të përparojë. Prandaj, vlerësohet se nevojitet një angazhim i ri strategjik që do ta bënte perspektivën evropiane të rajonit më të besueshme dhe të prekshme.