Certifikohen 22 pjesëtarë të FSK-së për fitnes fizik
Sot në mjediset e kazermës “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të FSK-së në Ferizaj, përfundoi trajnimi pesë-javorë për Instruktor të Fitnesit Fizik Ushtarak.
Në ceremoninë e certifikimit ishin të pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, zv. komandanti i KDS-së, kolonel Irfete Spahiu këshilltarët e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NALT-it për FSK-në, këshilltari i komandantit, nënkoloneli Gregor Lindsay, si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe këshilltarët nga Ushtria e Britanisë së Madhe, tha: “Unë ju falënderoj të gjithëve për punën tuaj të vështirë në kompletimin e Kursit për Instruktor të Fitnesit Fizik, që është kryer nga ekipi i FSK-së, të cilët janë trajnuar dhe mbështetur nga Shkolla e Fitnesit Fizik Ushtarak nga Ushtria e Britanisë së Madhe. Ky ekip ka punuar jashtëzakonisht shumë dhe u jam shumë mirënjohës për kontributin e tyre në zhvillimin e vazhdueshëm të FSK-së. Ky është edhe një shembull që ne jemi duke shkuar drejt ngritjes dhe profesionalizmit dhe jemi duke marr përsipër barrën që na takon”.
Duke iu drejtuar instruktorëve të sapo certifikuar gjeneral Rama tha: “Ju si instruktorë të kualifikuar të fitnesit fizik, para vetes keni një të ardhme të ndritshme. Tani ju jeni ekspertë në këtë drejtim. Ju duhet të vazhdoni të mësoni dhe t’i përmirësoni nivelet tuaja të fitnesit, t’i kuptoni të gjitha çështjet që lidhen me zhvillimin fizik, dhe në mënyrë kritike, t’i udhëhiqni të tjerët gjatë mësimeve të trajnimit fizik. Ne presim që kjo të ndodhë, dhe dëshirojmë që këtë ta dëshmoni gjatë vizitave dhe inspektimeve tona në njësitë tuaja dhe kurdo që flitet për fitnesin fizik. Ju jeni ata, që do ta mbani barrën kryesore. Për ta mbajtur këtë nivel, ju duhet të punoni shumë, t’i mbani lart aftësitë tuaja, dhe të udhëhiqni me shembullin më të mirë edhe në të ardhmen”.
Ndërsa, rreshter majori Jay Gordon, i cili përfaqësonte Shkollën e Ushtrisë Britanike të Trajnimit Fizik, në emër të komandantit të kësaj shkolle, falënderoi pjesëtarët e FSK-së për sukseset.
“Ne tashmë kemi pasur dy pjesëtarë të FSK-së për trajnim në shkollën tonë në Britani të Madhe. Ata ishin një kredi për FSK-në. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë pjesëtarë të FSK-së për t’u trajnuar në shkollën tonë. Sot u dëshmua se ky trajnim ishte i një niveli të lartë. Nëse FSK-ja vazhdon me të njëjtin angazhim dhe entuziazëm për të përparuar aftësitë në trajnimin fizik, atëherë ajo do të bëhet një forcë shumë e mirë, e përgatitur fizikisht, e fuqishme dhe gatshme për të vepruar kudo që është e nevojshme. Për mua ka qenë nder i madh, që për një vit e gjysmë, të ndihmoj me punën time në zhvillimin e FSK-së. Të gjithë njerëzit që kam takuar dhe punuar me ta janë shumë të mire, andaj i falënderoj. Në mënyrë të veçantë falënderoj ekipin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes për mikpritjen”.
Në këtë ceremoni diplomuan 22 pjesëtarë të FSK-së, me ç rast ushtari më i mirë u shpall Adnan Ademi, pjesëtar i Batalionit të Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë në Gjilan.