75 Mall Live Search
15:07 / E Martë, 05 Maj 2026 / KV

Certifikohen 33 koordinatorë të cilësisë në kuadër të SHSKUK

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe partnerin strategjik International Health Services (IHS), ka organizuar për herë të parë trajnimin për koordinatorët e cilësisë në kuadër të SHSKUK.

Trajnimi 4-ditor arriti të përmbushë synimet e paracaktuara duke ngritur kapacitetet teorike dhe praktike të zyrtarëve të cilësisë për të projektuar dhe nisur zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë brenda institucioneve shëndetësore të kujdesit spitalor.

Meqenëse ky aktivitet po fillon rishtas në nivelin tretësor shëndetësor, si i tillë përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të sistemit shëndetësor më cilësor dhe më të besueshëm.

Në këtë trajnim janë certifikuar 33 koordinatorë të cilësisë, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjen e sigurisë së pacientëve dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale në kujdesin spitalor.

Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në ngritjen e standardeve dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.