75 Mall Live Search
19:30 / E Martë, 26 Prill 2022 / MSH

Certifikohen pesë gjyqtarë të rinj nga FFK

Para dy viteve, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) kishte filluar me raundin e dytë të programit për mentorët dhe gjyqtarët e rinj, ndërsa sot ky program është finalizuar me shpërndarjen e certifikimeve të pjesëmarrësve.

Përgjatë këtij programi pesë gjyqtarë të rinj kanë pasur nga një mentor, roli i të cilëve ka qenë përcjellja e punës së tyre dhe dhënia e udhëzimeve në fushën e referimit.

FFK-ja sot bëri shpërndarjen e këtyre certifikatave, ku me këtë rast presidenti i këtij institucioni, Agim Ademi, përgëzoi talentët e referimit për përmbylljen e suksesshme të këtij programi dhe ritheksoi rëndësinë që FFK po i jep gjeneratave të reja.

“Jeni gjenerata e dytë që keni arritur ta kryeni me sukses këtë program, të cilin e ka mundësuar FFK në bashkëpunim me UEFA-n. Ashtu sikurse gjenerata e parë, edhe nga ju presim shumë në të ardhmen e afërt. Futbolli i Kosovës ka nevojë për kuadro si ju”, tha Ademi.

“Ne do t’ua japim besimin dhe shpresojmë që ju do ta kryeni misionin tuaj me nder e profesionalizëm. Kjo diplomë ua jep mundësinë për ta bërë hapin në profesionin e gjyqtarit të futbollit, derisa do të jetë puna juaj ajo që do t’ua hapë rrugët e suksesit”, shtoi më tej presidenti i FFK-së.

Po ashtu, gjatë këtij viti do të fillojë plani edhe për certifikimin e gjeneratës së tretë të talenteve të referimit.