19:58 / E Enjte, 16 Janar 2020 / indeksADMonline

Çështja e Badovcit, Dega e PDK-së në Prishtinë inicion seancë të jashtëzakonshme në Komunën e Prishtinës

Çështja e Liqenit të Badovcit ka qenë temë mjaft e përfolur ditët e fundit. Qytetarët po kërkojnë që të mos ketë aktivitete afariste dhe banuese në afërsi të liqenit.

Duke e parë shqetësimin e qytetarëve, dega e PDK-së në Prishtinë do të inicioj një seancë të jashtëzakonshme, transmeton Indeksonline.

Në komunikatën e dërguar, dega e PDK-së në kryeqytet e sheh Liqenin e Badovcit si me rëndësi strategjike për furnizim me ujë dhe me rëndësi të mjedisit.

Komunikata e plotë:

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me tendencat dhe diskutimet për aktivitet afarist në liqenin e Badovcit.

Për të diskutuar mbi këtë çështje, Dega e PDK-së në Prishtinë mbrëmë ka mbajtur një mbledhje urgjente të kryesisë së saj.

Në këtë takim është vendosur që përmes asambleistëve të saj në Komunën e Prishtinës të nis menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të Liqenit të Badovcit për qytetarët e Prishtinës, për furnizim me ujë si dhe ruajtje të mjedisit, Dega e PDK-së në Prishtinë konsideron se çdo tentim për të zhvilluar aktivitet afarist dhe banimor në afërsi të liqenit është i papranueshëm dhe nuk duhet të lejohet.

Rrjedhimisht, kërkon nga asambleistët e të gjitha partive në Kuvendin Komunal që t’i përgjigjen kësaj thirrje dhe të caktojnë sa më parë ditën për diskutim mbi këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për kryeqytetin dhe qytetarët e saj.