Çështja e migracionit ilegal, Britania e Madhe krijon projektligj

Britania e Madhe ka bërë projektligj për migracionin ilegal, pas problemeve të theksuara të shtetit me numrin e madh të imigrantëve.
Gjatë vitit 2022, numri i imigrantëve ilegal që hynin në vend përmes barkave, ka kaluar shifrat rekorde.
Projektligji në fjalë ndalon dhe largon menjëherë të gjithë ata që shfrytëzojnë rrugët ilegale për të hyrë në shtetin britanez.
Madje, sipas projektligjit, ata që zihen duke hyrë ilegalisht dhe shteti i largon, të njëjtit nuk do të kenë të drejt të kërkojnë nënshtetësinë britaneze në të ardhmen.
Një amendament i jep Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, fuqinë që në rrethana të caktuara, të injorojë urdhrat nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që ndalojnë fluturimet e dëbimit, shkruan BBC.
Në anën tjetër, Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe njofton se ka një numër të konsiderueshëm të rrugëve që janë të sigurta dhe legale për të hyrë në vend, transmeton Indeksonline.
Megjithatë, disa janë të disponueshme vetëm për njerëzit nga vende të veçanta si Afganistani dhe Ukraina.
Rrugët e azilit që pranojnë migrantë janë përmes skemës së risistemimit në Mbretëri të Bashkuar, përmes skemës së sponsorizimit të komunitetit, për bashkim familjar të refugjatëve dhe përmes mandatit të skemës së rivendosjes.
Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakord t’i japë Francës 500 milionë funte për tre vjet, të cilat do të shkojnë për më shumë oficerë patrullimi dhe një qendër të re paraburgimi.