11:51 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Çështja Tahiri-Habilaj, Top Channel publikon sot fakte të reja

 

Top Channel ishte i pari që publikoi dosjen e Katanias, 416 faqe të saj, ku përmendet emri i ish-ministrit Tahiri.

Gjatë kësaj kohe, Top Channel ka ndjekur më kujdes zhvillimet e kësaj çështje, duke sjellë në vëmendje daljen e fundit jashtë shtetit të ish-ministrit Tahiri dhe rrëzimin e pretendimeve se udhëtimi kishte të bënte me arsye familjare.

Gjatë kësaj, si gazetarë, kemi zhvilluar hetimet tona, në një pistë që hedh më shumë dritë, të paktën për publikun e gjerë, për çështjen në fjalë. Hulumtimet tona si gazetarë na kanë çuar sërish në Itali, në Katania, andej nga ka ardhur edhe dosja e plotë e çështjes Tahiri-Habilaj.

Kujtojmë që dosja Habilaj-Tahiri, që Top Channel publikoi i pari dhe ekskluzivisht, përmban 416 faqe, kurse dosja e plotë që ka ardhur me letër-porosi nga Italia është 1800 faqe.

Pra, ajo që është bërë publike nga kjo dosje, është vetëm maja e ajsbergut e një historie që mund të tronditë ekuilibrat e politikës shqiptare. Top Channel do të publikojë sot vazhdimin e hulumtimit të vet për këtë çështje, i udhëhequr vetëm nga një shqetësim: ai i së vërtetës dhe interesit publik.