Çfarë do të ndodhë me kryetarët e komunave nëse zgjidhen deputetë? Sqaron Ehat Miftaraj

Partitë politike në Kosovë në listat e tyre për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë nominuar edhe kryetarë aktualë të komunave në Kosovë.
Kështu, gjasat janë që të ketë zgjedhje të parakohshme në disa komuna, pas zgjedhjeve nacionale.
Por, si është e rregulluar kjo çështje me ligj?
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, mandati i kryetarit të komunës, i cilit përfundon me dorëheqje zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, Ligjit për zgjedhjet lokale dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, mandati i kryetarit të komunës, mandati i të cilit përfundon me dorëheqje zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar ne atë komune. Mandati i kryetarit të porsazgjedhur përfundon në datën e njëjtë sikurse mandati i kryetarit që ai/ajo e zëvendëson”, ka thënë Miftaraj për IndeksOnline.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nominuar disa kandidat për deputetë që aktualisht janë kryetar të komunave.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje dhe PDK-ja edhe pse udhëheqin disa komuna, nuk kanë ndonjë kryetar komune, kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit./IndeksOnline/