Çfarë do të ndodhë me libra për fëmijët që s’i kanë mbushur ende 6 vjeç? MASHT-i në heshtje, prindërit po ankohen

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënës.
Në njoftimin e MAShTI-t bëhet e ditur se të gjithë prindërit apo kujdestarët ligjorë do të kompensohen javën e ardhshme për të hollat e shpenzuara në këto blerje, teksa thirrja do të jetë e hapur deri në fund të shtatorit.
Megjithatë, qysh në fillim të kësaj thirrjeje, prindërit po hasin pengesa dhe pamundësi për të aplikuar për subvencionime, raporton Indeksonline.
Në adresën e Indeksonline kanë ardhur qindra ankesa nga prindër, fëmijët e të cilëve akoma nuk kanë mbushur gjashtë vjet, e që nuk po mund të aplikojnë për subvencionim.
Një prind tha për Indeksonline se fëmiu i tij do të mbushë 6 vjet në gjysmë të shtatorit, teksa është regjistruar në klasë të parë, por që sistemi në e-Kosova nuk po i lejon të aplikojë për subvencion.
“Fëmija im i mbushë 6 vjet me 18 shtator dhe e kam regjistru në klasën e parë e sistemi i tyre nuk ma pranon aplikimin?!” ka thënë ai në kushte anonimiteti.

I njëjti problem po i shqetëson qindra prindër të tjerë, të cilët e kanë adresuar këtë shqetësim edhe në faqen zyrtare të ministres së MAShTI-t, Arbërie Nagavci, por kjo e fundit po heshtë.
Nagavci njoftoi më herët se mbi 11 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar vetëm sot.
“Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin libri@rks-gov.net do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore” tha mes të tjerash Nagavci.
Lidhur me këtë problem, Indeksonline ka kontaktuar edhe Ministrinë, por që nuk ka marrë akoma përgjigje./Indeksonline/