20:14 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018 / indeksADMonline

Çfarë do të ndodhte me organizmin nëse hiqni dorë prej qumështit dhe nënprodukteve të tij

Termi “dietë me bazë bimore” është pak i paqartë. Kjo mund të nënkuptojë kryesisht bimë ose vetëm bimë dhe ka një ndryshim. Pa marrë parasysh formulimin, koncepti kryesor është raporti bimë – kafshë. Sa më shumë të anojë raporti nga bimët, aq më shumë përfitime shëndetësore do të kemi, derisa të arrijmë të eliminojmë tërësisht produktet shtazore. Studimet tregojnë se kemi përfitime shëndetësore nga dieta vegjetariane ose vegane, si: një peshë më optimale, reduktim i sëmundjeve të tensionit të gjakut, vlera të ulëta të sheqerit dhe kolesterolit në gjak. Ato flasin për një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit të tipit 2, obezitetit, hipertensionit, hiperlipidemisë, kancereve të caktuara, si ai gastrointestinal dhe kolonorektal, madje edhe sëmundjet e indit lidhor, si artriti reumatoid. Po këto studime kanë sjellë prova të reja që në pacientët me sëmundje kardiovaskulare, kancer të prostatës dhe diabetit të tipit 2, këto dieta bimore mund ta ndalojnë dhe ndoshta ta zhdukin sëmundjen në shumicën e rasteve.

Një dietë vegane gjithashtu eliminon bulmetin. Shumica e të rriturve janë intolerantë ndaj laktozës (rreth 65 për qind në mbarë botën) kështu që një shkëputje nga qumështi shpesh çon në përmirësim të shpejtë të shëndetit dhe mirëqenies. Përveç kësaj, mendohet se proteina “casein”, e cila gjendet në qumësht, mund të jetë nxitësi kryesor i kancerit. Përfitimet e tjera nga eliminimi i produkteve të qumështit i shohim në lëkurë, akne, si dhe mungesën e fryrjes dhe rregullsinë e zorrëve. Ka mbi një duzinë lloje qumështi bimor, për të mos përmendur një gamë të gjerë të djathërave, kosit, ëmbëltuesve, dhe shumë zgjedhje të tjera, ndaj është shumë e lehtë të bëheni veganë në vitin 2018. Vezët prodhohen kryesisht në mjedise të fabrikuara, në kushte mizore, të pista, të cilat kërkojnë sasi të mëdha hormonesh dhe antibiotikësh. Edhe kur rriten në mjedise të tjera, e verdha e vezës koncentron “choline”, e cila gjithashtu rrit nivelet TMAO dhe shton rrezikun për sëmundje. Pavarësisht nga reklamimi i kundërt në medie, përmbajtja e lartë e kolesterolit në to, ka treguar se ndikon në sëmundjet e zemrës.

CILAT JANË SFIDAT MË TË MËDHA USHQYESE PËR NJË DIETË VEGJETARIANE?
Dieta vegjetariane, edhe kur lejon disa produkte si vezët, qumështi dhe peshku, zakonisht nuk kërkon suplemente të tjera shtesë. Nga ana tjetër, regjimi ushqimor gjithëpërfshirës shfaq mungesë në vitaminë D dhe B12, kështu që marrja e këtyre suplementeve u rekomandohet të dyja palëve. Sfida më e madhe është të kemi një angazhim maksimal për cilësinë e ushqyerjes, si dhe të kërkojmë burime ushqimore me cilësi më të lartë, pa OMGJ, antibiotikë, hormone dhe ndotës të tjerë.
CILAT JANË SFIDAT E TJERA ME TË CILAT BALLAFAQOHEN VEGANËT?
Veganët duhet të marrin parasysh plotësimet e detyrueshme ushqimore me suplemente, një çështje shumë e vogël kjo, duke pasur parasysh listën e gjatë të përparësive shëndetësore. Një multivitaminë organike, e papërpunuar, mund të furnizojë me tre vitaminat më të rëndësishme: vitaminën B12, vitaminën D3 dhe omega 3 me bazë algat (zakonisht në formë vaji). Burimet e ushqimeve të papërpunuara duhet të përfshijnë kërpudhat (të pasura me
vitaminë D), farat e lirit, fara kërpi dhe fara chia (të pasura me omega 3) si dhe qumësht bimor të pasuruar me B12 ose maja ushqyese.