Çfarë do të thotë për popullsinë lokale pezullimi i fondeve të Serbisë në veri të Kosovës?

Dy filialeve të Fondit Republikan të Sigurimit Shëndetësor të Serbisë në veri të Kosovës iu pezullua veprimtaria nga autoritetet kosovare, javën e kaluar.
Fondi për Sigurime Shëndetësore dhe Fondi për Sigurime Pensionale e Invalidore, që u tha se s’kishin dokumentacion të vlefshëm për të operuar në Mitrovicën e Veriut, konsiderohen jetikë për komunitetin serb në Kosovë.
Pas kritikave nga popullsia lokale dhe faktori ndërkombëtar, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, mohoi se Prishtina zyrtare synon mbylljen e tyre. Ai ngulmoi se bëhet fjalë vetëm për një pezullim “të përkohshëm” nga ana e inspektorëve lokalë.
Kosova, në të kaluarën, ka mbyllur institucione të financuara nga Beogradi, me arsyetimin se ato veprojnë pa leje dhe përbëjnë struktura paralele e ilegale.
Shumica prej tyre fillimisht u pezulluan përkohësisht, dhe u vendosën, më pas, nën kontrollin e autoriteteve kosovare. Në disa prej objekteve ku funksionin këto institucione janë hapur zyrat e administratës së Kosovës.
Për komunitetin serb, Fondi për Sigurime Shëndetësore është i pazëvendësueshëm, pa të cilin rrezikohet qasja në trajtim shëndetësor në institucionet që veprojnë sipas sistemit serb, brenda dhe jashtë Kosovës.
Çfarë shërbimesh ofron Fondi për Sigurime Shëndetësore?
Pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë kanë të drejtë në shtetësi të dyfishtë. Pothuajse të gjithë janë edhe shtetas të Serbisë, dhe kjo u mundëson atyre të përfitojnë nga shërbime të ndryshme, përfshirë të drejtën për sigurim shëndetësor të detyrueshëm. Në Serbi, sigurimi shëndetësor u garantohet të gjithëve, pavarësisht nëse janë të punësuar apo jo.
Çdokush që ka librezën shëndetësore – të cilën e lëshon dhe e rinovon Fondi për Sigurime Shëndetësore – gëzon të drejtën për kontrolle falas, për trajtim mjekësor apo shërbime spitalore në institucionet publike shëndetësore serbe. Të gjitha shpenzimet e trajtimit mbulohen përmes Fondit, i cili ua transferon mjetet institucioneve shëndetësore për shërbimet e tyre.
Çdo fond apo filial është përgjegjës për institucionet shëndetësore në territorin që mbulon, dhe vulos librat shëndetësorë të qytetarëve që jetojnë aty. Në praktikë, kjo funksionon kështu: nëse një pacient nga veriu i Kosovës duhet të vazhdojë trajtimin në Beograd, të gjitha shpenzimet i mbulon Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut.
Ky fond, ndër të tjera, mbulon shpenzimet e operacioneve, terapive, rehabilitimit, barnave dhe pajisjeve mjekësore. Ai siguron falas ose me një pagesë minimale barnat e listës së ashtuquajtur pozitive. Përmes tij, pacientët përfitojnë edhe ndihma ortopedike, proteza, aparate dëgjimi, syze e të tjera.
Fondi është, gjithashtu, përgjegjës për pagesën e kompensimeve gjatë pushimit mjekësor të punëtorëve, si dhe për rregullimin e të drejtave të grave shtatzëna, lehonave dhe personave që gjenden në trajtim të zgjatur. Përmes tij financohen edhe terapitë e kushtueshme dhe të rralla, qoftë në Serbi apo në vende të tjera.
Cili është roli i Fondit për Sigurime Pensionale e Invalidore?
Fondi për Sigurime Pensionale e Invalidore, i cili ka filiale dhe nëndegë nëpër mjediset serbe në Kosovë, rregullon realizimin e të drejtave për pension në sistemin e Serbisë, përfshirë pensionin e pleqërisë, pensionin invalidor, si dhe pensionin familjar për anëtarët e familjes së një kontributdhënësi që ka vdekur.
Përmes këtij fondi bëhet edhe pagesa e pensioneve dhe evidentimi i stazhit të punës.
Ai është i ndërlidhur me Fondin për Sigurime Shëndetësore në rastet kur pensionistët duhet të përfitojnë nga e drejta për mbrojtje shëndetësore, përmes lëshimit të vërtetimeve të nevojshme për trajtim apo rehabilitim.
Si dhe ku funksionojnë institucionet shëndetësore serbe në Kosovë?
Pas luftës së vitit 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj shëndetësore në zonat ku jeton popullata serbe. Edhe sot, atje funksionojnë ambulancat lokale e shtëpitë e shëndetit. Ekziston edhe Qendra Klinike e Spitalore në Graçanicë – pranë Prishtinës – dhe në Mitrovicën e Veriut, si dhe Qendra Shëndetësore në Pasjan, afër Gjilanit.
Çështja e integrimit të këtyre institucioneve serbe në sistemin shëndetësor të Kosovës u rikthye së voni në qendër të debatit, pasi e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, porositi se kjo duhet të ndodhë, por se mënyra se si do të realizohet është thelbësore dhe duhet të bëhet në konsultim me komunitetin serb.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i tha Radios Evropa e Lirë se integrimi i institucioneve shëndetësore dhe i atyre arsimore mund të shtrohet si çështje gjatë vitit 2026.
Ai shtoi se do të angazhohet që periudha kalimtare të jetë “sa më e lehtë” për punëtorët, por nuk mundi të thoshte nëse mënyra e ofrimit të shërbimeve do të ndryshojë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Fondit Republikan të Sigurimit Shëndetësor të Serbisë, në Beograd, me pyetje se si do të ofrojë shërbime pas mbylljes së filialit në Mitrovicën e Veriut, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij newsletter-i.
Më herët, ky institucion ka deklaruar se me mbylljen e filialit është cenuar ofrimi i shërbimeve për pacientët, dhe se ai “kurrë nuk ka përbërë kërcënim për askënd, por ka qenë shtyllë e kujdesit shëndetësor”.
Fondi ka thënë se Serbia do të vazhdojë të kujdeset për të punësuarit dhe për pacientët, pa sqaruar se në çfarë forme.
Pezullimin e punës së Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe të atij për Sigurime Pensionale e Invalidore e kanë dënuar ashpër edhe zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, duke e cilësuar si “akt të papranueshëm dhe johuman”./Indeksonline/