“Çfarë do t’i them popullit?” Shqetësimi i Ibrahim Rugovës që nuk takoi zyrtarë të lartë në ShBA
Mal Berisha, ish-ambasador e diplomat, ka treguar një rrëfim interesant nga takimet e tij në ShBA me lobin shqiptar atje.
Në një bisedë për “Euronews Albania”, ai tregoi se Agim Rexhajn, që dikur ka qenë nënkryetar i “Vatrës”, e ka mik të mirë dhe i njëjti ia kishte treguar një histori tepër interesante të periudhës së para çlirimit të Kosovës me Presidentin historik, Ibrahim Rugovën.
Berisha tha se gjatë një vizite që Rugova e kishte bërë dikur në ShBA, nuk kishte arritur të takonte zyrtarë të lartë të shtetit, dhe ishte mërzitur për faktin se nuk dinte çfarë t’i thoshte popullit kur të kthehej në Kosovë.
“Më tregoi një episod. Vinte, tha, presidenti Rugova në fillimet e veta, në vizitat që i bënte në Amerikë, shkonim me të në takim me kongresistë, senatorë, të gjithë ato kushtonin, dhe tha me një rast, erdhi i bëri disa vizita dhe u takua me ca zyrtarë të rangut të tretë të DASh-it, dhe po e përcillja në aeroportin e Nju Jorkut, në JFK [thotë Berisha t’i ketë treguar Rexhaj, shën. red.]. Ndërkohë tha që prisnim për të hipur në aeroplan, ishte shumë, siç ishte ai njeri shumë modest, por ishte pak i mërzitur, dhe më tha: ‘Ore Agim, takova shumë njerëz por askush nuk premtoi që do të bëhet diçka e mirë për Kosovën. Çka do t’ju them vëllezërve të mi në Kosovë kur të shkoj? Se unë do të dal atje do ju them diçka, çfarë bëra në Amerikë’. I thash, tha: ‘Thuaju kam qenë në Amerikë. Kur t’ju thuash kosovarëve që kam qenë në Amerikë, ju ke thënë gjithçka, sepse kjo është Amerika që do na shpëtojë’”, u shpreh Berisha, duke kujtuar bisedën me Rexhajn.
Në ndërkohë, ai tregoi se si pikërisht Agim Rexhaj kishte një mal me çeqe që thotë t’i ketë paguar për kauzën e Kosovës.
“Isha në Amerikë dhe po rrija me Agim Rexhajn e më tregoi dy gjëra që vërtet më ngelën në mend. E para, më vuri në tavolinë të gjitha çeqet që i kishte paguar për LDK-në, për ndihmat në Kosovë, për 3 përqindëshin, për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për organizatën Vatra, për njerëz në nevojë të tmerrshme në Kosovë që s’kishin bukë. Ju betohem, e mbushi tavolinën me çeqe që i kishte të gjitha kopje, të cilat ishin të lidhura me banka në adresa të caktuara, të gjitha të regjistruara. U habita se si mund të bënte një njeri kaq shumë”, deklaroi diplomati shqiptar, Mal Berisha.

