Çfarë fiksuan kamerat, si lëvizën autorët dhe momenti i ekzekutimit të biznesmenit
Policia vijon hetimet për vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla, i cili u ekzekutua mbremjen e së dielës pranë karburantit të tij në Elbasan.
Grupi hetimor ka analizuar pamjet e kamerave të sigurisë pranë biznesit dhe ka konstatuar se autorët lëvizën disa herë përgjatë perimetrit, duke ndjekur me kujdes lëvizjet e biznesmenit.
Sipas hetuesve, ata kishin informacion të saktë për prezencën e 43-vjeçarit dhe prisnin momentin që ai të dilte nga zyra, raporton Euronewsalbania.
“Nga kamerat është vënë re se autorët lëvizën disa herë pranë biznesit. Ata dinin se objektivi ndodhej brenda dhe pritën derisa ai të hipte në automjetin e tij. Në atë moment, një Audi i zi i dyshuar u afrua dhe një prej autorëve, i identifikuar si qitësi, zbriti dhe qëlloi disa herë me pistoletë. Vetëm një person qëlloi, ndërsa tjetri drejtoi automjetin, dhe të dy u larguan menjëherë nga vendngjarja”, thanë hetuesit.
Pamjet e kamerave kanë fiksuar disa prej lëvizjeve të dyshuara të autorëve. Deri tani janë mbledhur prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në identifikimin e tyre, ndërsa disa dëshmitarë kanë dhënë informacione të vlefshme për grupin hetimor.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës kur 43-vjeçari u qëllua sapo kishte dalë nga zyra pranë karburantit të tij “Xhaxhi Oil” në Elbasan.
Sapo është futur në automjetin “Range Rover”, autorët e kanë qëlluar disa herë me pistoletë, ndërsa dy prej plumbave e kanë goditur në kokë.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për shqyrtimin e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.

