09:28 / E Diele, 10 Qershor 2018 / indeksADMonline

Çfarë ka ndodhur më 10 qershor?

323 pes – Vdiq Aleksandri i madh – disa kanë argumentuar se vdiq më 13 qershor, të tjerë japin datën 11 ose 10 qershor.

Në shënimet e bashkëkohësve thuhet se Aleksandri vdiq nga ethet; pija e tepruar; nga helmi; dyshimin e hedhin edhe mbi Aristotelin, për të cilin thonë se përgatiti helmin dhe ia dërgoi Aleksandrit si të ishte ilaç – pak kohë më parë, në gjak-nxehtësi e sipër, Aleksandri kishte vrarë Kalistenin, nipin e Aristotelit dhe filozofi ndoshta ‘morri gjakun’.

Aleksandri lindi në Pella, Maqedoni më 20 korrik, 356 pes, nga mbreti Filip II dhe mbretëresha Olimpia, që ishte bija e mbretit të Epirit, Neoptolem. Mësimet e hershme Aleksandri i mori nga Leonidha, që i mësoi atij matematikë, kalërim dhe përdorimin e harkut. Mësuesi tjetër ishte Lisimaku, i cili përdorte improvizime prej aktori për të kapur vëmendjen e princit, të cilit i pëlqente kur ai imitonte Akilin.

Në vitin 343 pes, mbreti Filip punësoi filozofin Aristotel. Gjatë tre viteve, Aristoteli, jo-grek, jo-maqedonas (një traditë thotë se ishte ilir), i mësoi Aleksandrit filozofi, poezi, dramë, shkencë e politikë. Duke lexuar Iliadën e Homerit, Aleksandri filloi të ëndërrojë luftra – për këtë arsye Aristoteli krijoi një version të shkurtuar të Iliadës, të cilën Aleksandri e mbajti me vete në fushatat e tij ushtarake.

Gjatë kohës si mbret i Maqedonisë (336-323 pes), Aleksandri bashkoi qytet-shtetet greke, rikrijoi Lidhjen e Korintit, u bë mbret i Persisë, Babilonisë dhe Azisë, krijoi koloni në Iran. Ndërsa bënte plane për pushtimin e Kartagjenës dhe Romës, Aleksandri vdiq në Babiloni, Persi. Vdekja e tij trishtoi maqedonasit, hidhëroi ilirët, hodhi grekët në rebelim; territoret e pushtuara prej tij u ndanë mes gjeneralëve – secili mbajti në zotërim zonat që kishte nën kontroll, siç ndodhi me Ptolemeun, i cili themeloi dinastinë e tij 350 vjeçare në Egjipt.

1190 – Kryqëzata e tretë: Frederik Barbarossa mbytet në lumin Salef gjatë kalimit me ushtrinë e tij për në Jeruzalem. Frederik i parë Barbarossa, mbret i Gjermanisë prej vitit 1152, kishte luajtur rol në bashkimin e fiseve gjermanike. Mbytja në lumë, ndërpreu edhe ëndrrën e tij për krijimin e një Perandorie të Evropës Qendrore, megjithëse la pas shembullin se një sundimtar i fortë është në gjendje të vendosë paqe.

1329 – Beteja e Pelekanonit rezulton në humbjen e trupave bizantine përballë atyre të Perandorisë Osmane. Ushtria bizantine u mund, dhe prej asaj kohe nuk bëri më përpjekje për marrjen e territoreve të humbura.

1692 – Amerikë: Salemi gjykon magjistaret: Brixhid Bishop dënohet me varje në litar në Salem, Massachusetts, “për kryerje të magjive që kishin çoroditur mendjet e banorëve”.

1793 – Muzeu ‘Jardin des Plantes’ hapet në Paris – një vit më vonë, bëhet Kopshti Zoologjik i parë publik.

 

Temat: