Çfarë kërkoi Salih Mustafa nga Gjykata e Hagës në kohën sa e kishte babanë ende gjallë?
Babai i Salih Mustafës ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2025. Por, para kësaj, Mustafa- i cili është dënuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kishte kërkuar lirimin e përkohshëm nga kjo gjykatë, por nuk iu aprovua.
Në parashtrimin e tij, të dorëzuar përmes mbrojtjes, Mustafa specifikoi se gjendja e babait tij ishte përkeqësuar deri në atë masë sa nuk mund t’i mbijetonte sëmundjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjendja shëndetësore e babait të Mustafës është jashtëzakonisht e rëndë dhe kritike. [REDAKTUAR]. Një raport mjekësor, së bashku me përkthimin e tij zyrtar, gjendet në Aneksin 1 të këtij dokumenti. [REDAKTUAR] e babait të Mustafës dhe po e monitoron gjendjen. Të gjitha perspektivat që babai i Mustafës të mbijetojë në këtë fazë janë shumë të zymta”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.
Mustafa kishte kërkuar që t’i mundesohej që ta vizitonte babanë e tij dhe siç kishte specifikuar mbrojtja e tij, se është e rëndësishme që të veprohet shpejt në mënyrë që klienti i tij të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të prindit të tij sa ende ai ishte gjallë.
“Mustafa kërkon të lirohet përkohësisht me qëllim që të vizitojë babain e tij [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Është e rëndësishme të veprohet shpejt në mënyrë që – në rast se babai ndërron jetë – Mustafa të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të babait të tij, sa ai është ende gjallë. Për arsye humanitare, mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm të Mustafës, dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes të dorëzuar më 21 dhjetor 2025.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur, më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim.
Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vjetësh burgim për krime lufte.
Sipas DHSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.
Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DHSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vjet burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vjetësh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen te kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.
Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar, më 12 qershor 2020.

