07:31 / E Martë, 19 Prill 2022 / AR

Çfarë mund ta bëjë seksin të dhimbshëm?

Dhimbja gjatë raportit seksual (dispareunia) është një dhimbje/diskomfort në zonat labiale, vaginale ose pelvike, gjatë ose pas raportit seksual. Një gjendje e tillë mjekësore është e përshkruar që në shkrimet e lashta egjiptiane. Sot, shumica e shkaqeve të dispareunisë mund të zbulohen dhe trajtohen shumë lehtë.

Numri i grave që përjetojnë dhimbje gjatë aktit është i panjohur, për shkak se simptomat janë të ndryshme. Gjithashtu, në shumë raste gratë e kanë të pamundur të diskutojnë lirisht me gjinekologun praktikat seksuale.

Shenjat dhe simptomat e dispareunisë

Tek gratë, simptomat e dispareunisë përfshijnë dhimbjen në vaginë gjatë aktivitetit seksual, në hyrje të vaginës ose më në thellësi të saj. Disa gra përjetojnë vaginismus, kontraktimin e muskujve vaginalë gjatë penetrimit. Gratë me vaginismus kanë dhimbje jo vetëm gjatë seksit, por edhe gjatë ekzaminimeve gjinekologjike.

Identifikimi i shkakut të dispareunisë është hapi më i rëndësishëm, pasi vetëm më pas mund të diskutohen mundësitë e trajtimit. Përveç dispareunisë, një tjetër shkak i dhimbjes gjatë aktit është edhe STI (sëmundjet seksualisht të transmetueshme) apo produktet që mund të keni përdorur për kujdesin e higjenës intime. Mjekët nuk këshillojnë asgjë tjetër veç ujit të vakët dhe sapunit. Arsye të tjera mund të jenë pozicioni i zgjedhur i seksit, mungesa e lubrifikimit apo thatësira vaginale.

Edhe pse dispaerunia shpesh shkaktohet nga gjendje lehtësisht të trajtueshme, ndonjëherë mund të jetë simptomë e një problemi më serioz.

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore

Nëse përjetoni përkeqësim të dhimbjes gjatë ose pas aktit seksual, gjakderdhje ose sekrecione duhet të drejtoheni menjëherë tek një mjek i specializuar.