75 Mall Live Search
19:07 / E Martë, 22 Nëntor 2022 / k.v

Çfarë ndodhi me konkursin për drejtor të Policisë?

Janë bërë plotë dy muaj prej që është mbyllur konkursi për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe ende nuk është nxjerr emri se kush do ta drejtori njërin nder institucionet kryesore në vend.

IndeksOnline ka një javë që ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marr një përgjigje se çfarë ka ndodhur me këtë konkurs, por ende nuk kemi pranuar përgjigje.

Në konkursin e fundit kanë aplikuar pesë zyrtarë të lartë të policisë, mirëpo nuk dihet ende pse është bllokuar ky proces.

Emërimin e drejtorit të policisë e bënë kryeministri pas rekomandimit që ia dërgon kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas konkursit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.

Konkursi ishte i brendshëm pasi që kriter për këtë pozitë është grada policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.

Secili kandidat për këtë pozitë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.

Ndryshe rreth tre muaj më parë, kreu i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai tha se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Kryeministri e liroi atë nga detyra dhe menjëherë e caktoi zëvendësuesin e tij, Fehmi Hoti. Ky i fundit vazhdon të jetë Ushtrues Detyre derisa të emërohet drejtori i përgjithshëm./IndeksOnline/