Çfarë po ndodhë në Komunën e Podujevës? Objektet e rrënuara ndërtohen sërish!

Rreth një vit e gjysmë më parë, Komuna e Podujevës, mori vendim për rrënimin e dy objekteve. Objektin që ishte duke u ndërtuar në fshatin Sekiraq ‘Te Muslia’ dhe objektin e sapo ndërtuar të ‘Viva Fresh Store’, në Lluzhan.
Këto objekte u rrënuan për shkak se nuk ishin të pajisura me leje ndërtimi.
Nuk shkoi shumë gjatë nga kjo ngjarje dhe të dy objektet u ndërtuan sërish por që tani, drejtori i Inspekcionit në Komunën e Podujevës ishte ndërruar.
Ish-drejtori i Inspekcionit në Komunën e Podujevës, njëherazi edhe ai që mori vendimin për rrënimin e këtyre objekteve, Bedri Maqastena për IndeksOnline tha se, vendimet se sa ka qenë ai drejtor, i ka marrë në harmoni me ligjin.
Më tutje, Maqastena bëri te ditur se atë kohë, njëri rast ishte pezulluar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
‘’Për njërin rast kemi pranuar një pezullim të vendimit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Me atë vendim ne nuk jemi pajtuar por sipas ligjit u desh ta zbatojmë dhe, më tutje, Komuna e Podujeves rastin e ka procedu në Gjykatë, si konflikt adminiatrativ, ndërsa rasti tjetër, objekti ka qëndruar ashtu i rrënuar derisa une isha drejtor’’, tha ai.
Ai tregoi për IndeksOnline se si vijon pajisja me leje, duke thënë se objektet janë trajtuar sipas ligjit.
‘Me leje pajisen objektet e pandërtuara, kurse objektet e ndërtuara legalizohen (normal nëse ato i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj). Ne, për ato dy objekte por edhe për të tjera, i kemi marrë të gjitha masat dhe i kemi trajtu sipas ligjit për trajtimin e objekteve pa leje’’.
IndeksOnline ka provuar të kontaktojë me drejtoreshën e tanishme të këtij dikasteri, Florentina Osmani, por nuk ka marr përgjigje.
Poashtu, edhe zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, nuk është përgjigjur në pyetjet lidhur me këtë temë.
Kujtojmë që ‘Viva Fresh Store’ ishte funksional dhe kishte të punësuar, në kohën kur ishte marrë vendimi për rrënimin e objektit./IndeksOnline/