75 Mall Live Search
21:36 / E Martë, 14 Qershor 2022 / AR

Çfarë tha Jennifer Aniston që u kritikua nga njerëzit?

Në një intervistë me Sebastian Stan përmes Variety, Jennifer Aniston ka folur për ndikimin e rrjeteve sociale në industrinë e argëtimit dhe se si e gjithë kjo ka dëmtuar punën e aktorit.

Ylli i “Friends” u shpreh:

“Unë gjithmonë them se ndihem me fat që mora pak nga shija e industrisë, përpara se të bëhej ajo që është sot, kaq ndryshe…me shumë shërbime transmetimi, me shumë njerëz.”

Jennifer shtoi se interneti ka ndikuar në punën e aktorëve, pasi tani, njerëzit po bëhen yje duke “mos bërë asgjë”.

“Interneti ka formuar vërtet një kulturë të re për njerëzit që bëhen të famshëm. Shihni Paris Hilton, Monica Lewinsky-n e të gjithë këto”, vazhdoi ajo. “Sot bëhesh i famshëm nga TikTok, nga YouTube apo nga Instagrami. Pothuajse po e zbeh punën tonë si aktorë”.

Aniston kujtoi dhe kohën kur shfaqej seriali “Friends”, i cili i dha famën dhe suksesin në fillim të karrierës. Ajo beson se mungesa e rrjeteve sociale në atë kohë, në kulmin e popullaritetit të serialit, “ka ndihmuar atë dhe aktorët e tjerë të ruajnë ‘një mendje të shëndoshë’.”

Deklarata është kritikuar nga shumë njerëz të cilët besojnë se “vetë aktorja është bërë pjesë e industrisë sepse prindërit e saj ishin aktorë”. Dikush tjetër shkroi:

“Kjo grua është kaq e mbivlerësuar! Ironia është se një aktore mediokre, është mërzitur sepse njerëz të tjerë po aq mediokër, po hyjnë në industri.”

Nga ana tjetër, shumë njerëz kanë rënë dakord me deklaratat:

“Pse e bëni kaq të madhe, s’ka thënë asgjë gabim”; “Sa të ndjeshëm janë bërë njerëzit këto kohë!”; “Ka shumë të drejtë. Ju thjesht s’e përballoni dot të vërtetën” etj.