Çfarë u tha Pogba lojtarëve në tunel në ndeshjen e parë pas shkarkimit të Mourinhos
Paul Pogba ka startuar për herë të dytë radhazi për Manchester Unitedin nën urdhrat e Ole Gunnar Solskjaer, në fitoren e Man Unitedit, 3-1 ndaj Huddersfieldit.
Fituesi i Botërorit me Francën ka dështuar të shkëlqejë nën urdhrat e Mourinhos dhe ishte në stol në dy ndeshjet e fundit të portugezit si trajner.
Por që prej ardhjes së norvegjezit, Pogba është rikthyer në formacionin bazë dhe ka shkëlqyer në ndeshjet ku ka luajtur.
Në fitoren e Unitedit, 5-1 ndaj Cardiff Cityt – ndeshja e parë e Solskjaer si trajner i skuadrës – francezi kontriboi në tre gola, derisa në fitoren e fundit, shënoi dy herë, transmeton IndeksOnline.

Tani, në kanalin e Man Unitedit në YouTube janë publikuar pamjet ku shihen lojtarët para ndeshjes me Cardiff City.
Pogba shihet duke i motivuar bashkëlojtarët e tij para këtij dueli.
Në video, ai dëgjohet duke thënë: ”Kur ne shkojmë, shkojmë. Le të bëjmë presion”.
”Nëse e humbim topin, ne duhet ta rikthejmë. Tani jemi në shtëpi. Ne shkojmë më të fortë, ne startojmë më të fortë”./IndeksOnline/