10:42 / E Premte, 15 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Challandes: Kosova duhet të jetë krenare me këtë skuadër

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se ekipi nuk e luajti lojën e tij, por në fund e uroi Çekinë.

Ai në fund tha se Kosova duhet t’i falënderojë këta lojtarë dhe duhet të jetë krenare me ta.

Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të tij:

“Duhet të jemi të qartë dhe korrekt. Kishim një Kosovë që luftoi dhe mbrojti. Ishte mirë, por nuk mund të luanim. Nuk luajtëm lojën tonë

Çekia është shumë e fortë dhe duhet ta pranojmë që kjo skuadër ishte më e mirë. Duhet t’i urojmë për kualifikimin.

Kisha një ndjenjë që nuk kemi marrë rrezik sa duhet të ndërtonin aksione. Ju kam thënë lojtarëve, luajeni lojën tuaj, rrezikoni.

Kjo është një arsye, arsye tjetër ishte skuadra kundërshtare shumë e fortë. Jemi të zhgënjyer me këtë rezultat dhe lojë jo të mirë. Patëm mundësi të luanim dhe nuk luajtëm.

Çekia ishte e fortë me presing, por iu thashë pas pjesës së parë lojtarëve se duhet të provojmë më shumë. Iu thashë që ne duhet të luajmë ashtu si luhet.

Duhet t’i themi urime ekipit për këtë kampanjë deri tani. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët për punën e tyre. Kosova duhet të jetë krenare për këtë skuadër”, është shprehur Challandes.