75 Mall Live Search
14:45 / E Diele, 09 Qershor 2019 / indeksADMonline

Challandes kujton momentet me Fadil Vokrrin, tregon se si ia kishte prezantuar kontratën

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është duke qëndruar në Bullgari, ku nesër do të ketë ndeshje në kuadër të kualifikimeve ‘Euro 2020’.

Nga atje, përfaqësuesja ka bërë një mbledhje përkujtimore për ta kujtuar legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Challandes pas mbledhjes përkujtimore ka dhënë një intervistë për “Super Sport”, ku ka folur për Fadil Vokrrin dhe kujtimet që i kanë mbetur nga ai.

“Ishte kohë shumë e mirë për mua, gjithçka ka qenë e qartë. Nuk kemi diskutuar shumë detajet e kontratës. Fadili ishte futbollist, ishte edhe president por që vinte nga futbolli. Ishte shumë e rëndësishme për mua sepse mund të bisedonim për futboll.”

“Ai më tha ‘Ne kemi këtë kontratë për ty, pranoje ose jo’, unë pranova menjëherë pa asnjë diskutim. Pastaj kemi diskutuar për ekipin dhe lojtarët si mund të zhvillohen. E kuptova mirë që ne flisnim të njëjtën gjuhë, gjuhën e futbollit.”

Të them të drejtën nuk e kujtoj Fadilin nga ajo kohë, nuk e kam ditur që ai ka luajtur edhe në Francë. Por të gjitha këto i kam zbuluar më pas që ai ka qenë një futbollist i madh. E ka bërë të veçantë personaliteti i tij. Ai e thoshte pa ngurrim atë që e mendonte. Ka qenë një luftëtar i madh. Nëse ka pasur një ide, ai ka punuar shumë për të. Ka bërë shumë edhe për federatën e futbollit dhe gjithë Kosovën. E shoh se të gjithë njerëzit e kujtojnë me mall se ai ka lënë një vepër të madhe pas.”, tha ai./Indeksonline/