Challandes mesazh për të gjithë lojtarët që i thonë ‘JO’ Kosovës: Ne nuk ju lusim, përfaqësimi i ‘Dardanëve’ është çështje nderi

Bernard Challandes e ka përfunduar konferencën e sotshme para ndeshjeve miqësore në muajin qershor, kundër San Marinos dhe Maltës me mënyrën më të mirë të mundshme.
Tekniku i Kombëtares së Kosovës ka drejtuar një mesazh të qartë për lojtarët që i thonë ‘JO’ Kosovës, apo atyre që presin të zgjedhin mes ‘Dardanëve’ apo shteteve tjera, shkruan IndeksOnline
“Nuk duhet t’i lusim lojtarët. Nuk duhet të ulemi në gjunjë për t’i lutur ata. Përfaqësimi i Kosovës duhet të jetë çështje nderi.”, ka thënë Challandes në konferencë për media.
Ai po ashtu ka folur edhe për sulmuesin e Brightonit, Andi Zeqiri i cili tradhtoi Kosovën duke u ftuar në ekipin e Zvicrës nga trajneri Petkovic.
“Ne kemi folur me Andin me familjen e tij, me agjentin. Një lojtar që ka dy pasaporta, ai mund të marrë një vendim se për cilin shtet të luaj. Në disa raste, ka lojtar që dëgjojnë zemrën. Kurse ka të tjerë që zgjedhin karrierën para shtetit. Më duket se kjo është arsyeja”, vazhdoi tutje tekniku zviceran.
Të rikujtojmë se Dardanët, fillimisht do të luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” më 1 qershor kundër San Marinos, derisa më 4 qershor do të përballen me Maltën në Klagenfurt të Austrisë. /IndeksOnline/