75 Mall Live Search
11:08 / E Shtunë, 02 Gusht 2025 / L A

Chelsea ofron dy futbollistë në përpjekje për të sjellë Garnachon nga United

Chelsea ka ofruar dy lojtarë të Manchester Unitedit në një përpjekje për të siguruar transferimin e Alejandro Garnachos në “Stamford Bridge”.

“Blutë” kanë shfaqur interes për Garnachon që nga afati kalimtar i janarit dhe e kanë ringjallur këtë interesim këtë verë.

Manchester United ka vendosur ta shesë 21-vjeçarin, pas një vendimi të trajnerit Ruben Amorim, i cili informoi lojtarin në fund të sezonit të kaluar se ishte i lirë të largohej.

Garnacho ka pasur një periudhë të vështirë në “Old Trafford”, duke kaluar nga një nga lojtarët më të vlerësuar në klub në një futbollist i zakonshëm, me paraqitje të paqëndrueshme.

Chelsea beson se mund ta rikthejë në formë Garnachon dhe ka për qëllim ta sjellë atë në Londrën Perëndimore, pavarësisht konkurrencës së madhe në repartin e sulmit.

Edhe pse Manchester United ka ulur kërkesën fillestare për transferimin e tij, klubi i Old Traffordit kërkon ende rreth 50 milionë euro për Garnachon, i cili ka zhvilluar 93 paraqitje në Ligën Premier dhe ka qenë pjesë e përfaqësueses së Argjentinës në tetë ndeshje.

Chelsea, megjithatë, heziton të paguajë këtë shumë dhe ka ofruar Nicolas Jackson dhe Christopher Nkunku si pjesë të marrëveshjes, sipas The Athletic.

Manchester United ka shprehur interes për të dy lojtarët, pasi Amorim kërkon të forcojë repartin ofensiv, pas transferimeve të Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo.

Megjithatë, “Djajtë e Kuq” thuhet se e kanë përjashtuar mundësinë e një shkëmbimi Garnacho-Jackson, pasi besojnë se sulmuesi i Chelseat ka një vlerë më të madhe se çmimi aktual i tij.