15:33 / E Premte, 11 Janar 2019 / indeksADMonline

Chelsea pritet ta padisë Bayernin për talentin Odoi

Gjigantët bavarezë kanë bërë një ofertë prej 35 milionë paundësh për të marrë shërbimet e 18-vjeçarit Callum Hudson Odoi, të cilin kërkojnë ta marrin që në muajin janar.

Drejtori sportiv i klubit bavarez konfirmoi disa ditë më parë se skuadra e Bayernit kërkon me të vërtetë të nënshkruajë me talentin që luan për Chelsean. Kontrata e tij me skuadrën londineze skadon në vitin 2020. Por, kjo deklaratë sipas të përditshmes “Daily Mail” dhe “ESPN” ka acaruar jo pak skuadrën e Chelseat.

Sipas rregullores së FIFA-s, klubet duhet të marrin leje përpara se të hyjnë në bisedime me palën negociuese që në këtë rast është vetë lojtari. Kjo vlen gjithashtu edhe për kontaktet me pjesëtarët e familjes së lojtarit, edhe pse Bayerni ende nuk mund të quhet fajtor.

Blutë e Londrës dyshojnë se lojtari i tyre dhe klubi gjerman kanë arritur në një marrëveshje, ndaj do të bëjnë në ditët e ardhshme një ankim zyrtar për këtë çështje. Klubi ka refuzuar tri oferta në drejtim të lojtarit U-19 të kombëtares së Anglisë dhe tani i kanë mbetur shumë pak kohë për të rivlerësuar sërish lojtarin. Ata tani duhet të japin përgjigje për oferta në drejtim të lojtarit, pasi kanë refuzuar disa prej tyre në kohët e fundit.

Chelsea kërkon të nënshkruajë një kontratë formale me lojtarin, i cili mund të pranojë vetëm nëse i premtohen më shumë minuta me skuadrën e parë. Ai ka luajtur vetëm një ndeshje nga minuta e parë në gjysmëfinale të Kupës Karabao në humbjen ndaj Tottenhamit.

Ndërkohë, skuadra e Bayernit ka një plan të qartë për lojtarin, duke e cilësuar atë si një zëvendësues ideal për Arjen Roben, i cili do të largohet në fund të sezonit nga Mynihu dhe Odoi do të ishte një lojtar perfekt për gjermanët që kanë filluar të riformatojnë skuadrën, duke ofruar shumë lojtarë të rinj midis tyre edhe talentin anglez, gjithmonë nëse do të arrihet një marrëveshje zyrtare midis palëve.