Chivu: Interi po zhvillon një sezon të shkëlqyer, pavarësisht se çka thonë njerëzit
Cristian Chivu këmbëngul se Interi “po zhvillon një sezon të shkëlqyer, pavarësisht asaj që thonë njerëzit”, teksa përgatiten të përballen me një Genoa të ringjallur nën drejtimin e ish-shokut të tij te Roma, Daniele De Rossi. “Realiteti është ndryshe nga narrativa.”
Ndeshja do të luhet të dielën në orën 18:00 në stadiumin “Luigi Ferraris”, i njohur gjithashtu si “Marassi”.
Hakan Çalhanoglu çaloi dhe doli nga loja në mesjavë ndaj Liverpoolit dhe “nuk ka rifilluar ende stërvitjen”, ndërsa Francesco Acerbi, Denzel Dumfries, Matteo Darmian, Tomas Palacios dhe Raffaele Di Gennaro janë gjithashtu jashtë.
De Rossi e ka parë Genoan të ngjitet me shpejtësi në renditje që kur mori drejtimin pas shkarkimit të Patrick Vieira dhe shpreson ta mbajë këtë vrull edhe kundër një Interi që vjen pas humbjes në Ligën e Kampionëve ndaj Liverpoolit.
“Duhet të jemi perfektë, sidomos në aspektin e qëndrimit, kundër një skuadre që ka gjetur kaq shumë entuziazëm me trajnerin e ri,” tha Chivu në konferencën për shtyp.
“Nuk ka qenë kurrë e lehtë për Interin në këtë përballje, ndaj duhet të japim gjithçka. Kam kaluar katër vite të mrekullueshme te Roma, De Rossi ishte një kapiten pa shirit, pasi në atë kohë ishte ende Francesco Totti. Gjithmonë e kam admiruar inteligjencën e tij, është një djalë i sinqertë dhe shumë besnik”, shtoi ai.
Humbja ndaj Liverpoolit erdhi në rrethana tejet kontroverse, me një penallti aq të lehtë sa bëri jehonë në të gjithë Europën.
Interi ka humbur pothuajse të gjitha ndeshjet e mëdha kundër kundërshtarëve të fortë, edhe pse shpesh ka krijuar më shumë raste dhe ka pasur zotërimin e topit.
“Ne e nisëm sezonin nën një lupë, njerëzit thoshin se ishim të dështuar dhe të mbaruar, por ende jemi aty lart dhe kjo nuk duhet marrë si e mirëqenë, duke pasur parasysh çfarë u tha gjatë verës. Sigurisht që kemi hapësirë për përmirësim, por nuk kemi dashur kurrë të humbasim identitetin tonë, urinë, dëshirën për të dominuar në Serie A dhe në Europë. Jemi në rrugën e duhur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Disa mund të thonë se duhet të jemi më negativë dhe më mbrojtës, të luajmë për barazim, por unë nuk dua që ta humbasim identitetin tonë”, vazhdoi trajneri rumun.
Performanca më e mirë e Interit të Chivut ishte vetëm javën e kaluar, kur shkatërruan Comon 4-0 në “San Siro”, por trajneri nuk është dakord.
“Në aspektin e përpjekjes, në fakt bëmë më shumë kundër Liverpoolit. Sigurisht, me gjithë respektin për Comon, Liverpooli mund të shpenzojë 150 milionë euro për një lojtar, ndaj është një nivel krejt tjetër.
Megjithatë, për nga performanca e përgjithshme, nuk ishim inferiorë ndaj Liverpoolit, ndaj do t’i ruaj dhe do të ndërtoj mbi gjërat e mira që pashë aty. Duhet të flasim për realitetin. Kam qenë te Interi në një formë apo tjetër për 20 vite, kështu që pritshmëritë janë ndryshe nga realiteti,” shtoi Chivu.
“Nuk e vlerësoj procesin e rritjes bazuar në një fitore apo një humbje. Nuk më pëlqejnë etiketat dhe ka tepër shumë të tilla që i vihen Interit”, përfundoi ai.

