75 Mall Live Search
23:57 / E Hënë, 08 Dhjetor 2025 / F.R

Christopher Hill rrëfen marrëdhëniet me politikanët shqiptarë, sfidat e diplomacisë

Christopher Hill, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, ka diskutuar marrëdhëniet e tij me politikanët shqiptarë të kohës, si dhe sfidat e diplomacisë ndërkombëtare në një moment të tillë historik.

Ai ka përshkruar angazhimin e tij me figurat politike të asaj periudhe, përfshirë ish-presidentin Ramiz Alia dhe liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke theksuar ndryshimet në politikë dhe sfidat që i përkisnin diplomacisë amerikane në Ballkan.

“Patjetër, këto reforma ishin duke ardhur dhe në fakt u nisën nga riemërimi i Partisë Socialiste, edhe pse PS kishte shumë anëtarë edhe nga Partia e vjetër e Punës. Sigurisht që duhet kuptuar që PS kishte shumë persona të cilët kishin ardhur nga sistemi, i kishte prodhuar Ramiz Alia, madje edhe Enver Hoxha. Dhe më pas doli Partia Demokratike dhe ishte diçka ndryshe, pasi ata ishin duke thënë se nuk kishin lidhje me ish-strukturat qeverisëse, nuk kishin asnjë lidhje me Partinë e Punës, përkundrazi ata ishin shumë të rinj, shumë të orientuar drejt Perëndimit. Pra me patjetër që lëvizja e Solidaritetit në Poloni kishte një ndjesi që gjërat ishin duke ndryshuar edhe në Shqipëri. Pra, qartazi, kur je një diplomat, ti punon me këdo që është aty. Le të jetë kush të jetë, unë nuk mund të them që më pëlqen ai apo më pëlqen ky, nuk është kjo puna ime”, tha ai në EuroNews.

Ish-ambasadori amerikan ka ndarë gjithashtu përvoja dhe mendime mbi marrëdhëniet e tij me Partinë Demokratike të Shqipërisë gjatë periudhës së tij si diplomat në vitet ’90. Sipas Hill, diplomacia amerikane nuk ka rol në zgjidhjen e problemeve politike të brendshme të Shqipërisë, por është e rëndësishme që liderët shqiptarë të kuptojnë se vëmendja ndërkombëtare është e pranishme.

“Ndërkohë nga ana tjetër Partia Demokratike ishte duke ardhur, ishte diçka e re, shumë dinamike në atë kohë. Unë vazhdoj të ndjej se kushdo i cili zgjidhet nga partitë është një çështje e brendshme, është për shqiptarët që t’i zgjedhin këta, nuk është puna e diplomatëve. Dhe nuk ndjehem rehat me këtë ide, më ndodh shpesh jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera, vijnë tek ambasadori amerikan dhe thonë: “Çfarë po bën ti?” Sikur është zgjedhja jonë, por nuk është zgjedhja jonë. Në rrethana më të mira ti je aty për dy-tre vite, dhe në rastin tim unë më pas u largova drejt Azisë. I përket shqiptarëve që duhet të jetojnë me këtë lider”, u shpreh ish-diplomati.