20:09 / E Hënë, 24 Qershor 2019 / indeksADMonline

Çiftet që kurorëzuan dashurinë në martesë brenda madhështisë së një kalaje

Kurorëzimi i dashurisë në kalatë shqiptare është një traditë e vjetër e cila është ruajtur që nga koha e Skënderbeut. Heroi ynë kombëtar  u martua me Donikën (Andronika) në vitin 1451 në kalanë e Kaninës. Donika ishte një nga tetë vajzat e Gjergj Arianitit dhe shquhej për bukurinë e rrallë ndër vajzat e krahinës.

Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës në dasmën e tij. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave.  Kështu shekuj më vonë dasmat në kala vazhdojnë të jenë ndër më të bukurat. Ka disa çifte shqiptare që janë celebruar në kalatë e bukura shqiptare.

Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa

Një nga dasmat të komentuara është ajo e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës.  Në 6 shtator të vitit 2014 Ministri i asaj kohe i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, celebroi në një ceremoni  të paharrueshme dashurinë 14-vjeçare me partneren e tij në kalanë e Gjirokastrës. Zhvillimi i ceremonisë së dasmës brenda kalasë madhështore ka qenë një dëshirë e vetë çiftit dhe gjithashtu një lloj reklame për vetë Gjirokastrën, qytet nga i cili ministri Veliaj mori edhe mandatin e deputetit në atë kohë. Të ftuar në këtë dasmë ishin personalitete të njohur të fushës së politikës e artit në Shqipëri. Dasma u pasua nga një ceremoni e dytë në Pezë po padiskutim  më domethënësja dhe më madhështorja ishte dasma e kalasë.

Vesa Luma dhe Big Basta

Vesa dhe Bigu u martuan në vitin 2015 në një dasmë të madhe në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Nën perëndimin e diellit, çifti mori bekimin e kryetares së bashkisë së Sarandës, znj. Floriana Koka. Le të themi se bukuria e kalasë, perëndimi i diellit dhe emocionet e një çifti të sapo martuar kanë krijuar kujtime të paharrueshme tek Vesa dhe Bigu.

Elseid Hysaj dhe Fiorenza Lestakaj

Futbollisiti i njohur i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe partnerja e tij, ish-Miss Shqipëria Fiorenza Lestakaj, zhvilluan dasmën ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës. Çifti ishte prej shumë vitesh në një lidhje dhe në vitin 2013 shpallën fejesën e tyre. Ata vendosën që ceremoninë e martesës ta zhvillonin në Kalanë e Rozafës, një prej simboleve të qytetit të Shkodrës, në praninë e familjarëve dhe miqve të afërt.

Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi

Në 4 dhjetor të vitit 2014 Olta Xhaçka(aktualisht Ministrja e Mbrojtjes) dhe ish-deputeti socialist  Artan Gaçi i  thanë “Po” njëri-tjetrit  në Kalanë e Petrelës. Ishte zgjedhja e tyre e përbashkët që celebrimi të mbahej brenda kalasë. Pra le të themi kemi pasur dy dasma të Partisë Socialiste që janë zhvilluar në ambjentin e një kalaje. /Blitz.al/