11:07 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Çifti që u martuan para 5 ditësh, vetëhelmohen, nusja 19 vjeçare vdes

Një tragjedi e ngjashme me “Romeo dhe Zhuljetën” e famshme të Shekspirit ka ndodhur në qytetin e Librazhdit ku dyshohet se një çift të rinjsh, të sapo martuar janë vetëhelmuar, ndërkohë që nusja 19-vjeçare ka ndërruar jetë, ndërsa bashkëshorti i saj 27-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Elbasanit.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjyrë të Librazhdit, ndërkohë që çifti është identifikuar. Nusja Rezarta Hajdari vetëm 19 vjeç është gjetur e pajetë në banesë, ndërsa bashkëshorti i saj Olsi Hajdari është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Elbasanit.

Ka qenë nëna e djalit që i ka gjetur dy të rinjtë në dhomën e tyre pa ndjenja.

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se janë vetëhelmuar. Mësohet se çifti i të rinjve janë martuar vetëm 5 ditë më parë, të dielën e 8 dhjetorit.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.