Cila është arsyeja që Alban Hyseni nuk e pezullon drejtoreshën që po përballet me drejtësinë?

Pavarësisht ngritjes së aktakuzës ndaj saj, ende nuk dihet nëse Entela Hyseni, drejtoreshë e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, është pezulluar nga detyra.
Kryetari i komunës, Alban Hyseni, deri tani nuk ka dalë me asnjë qëndrim publik. IndeksOnline ka tentuar disa herë radhazi të marrë një përgjigje nga ana e tij, mirëpo ai nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
IndeksOnline ka raportuar më herët për rastin që lidhet me ankesat e Valon Salihut, pronarit të disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
E para e Inspeksionit në Gjilan, Entela Hyseni, po përballet me drejtësinë, pasi ndaj saj është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pikërisht për rastin e Salihut. Prokuroria ka theksuar se ekziston dyshim i bazuar se ajo ka urdhëruar fillimin e një rrënimi pa autorizuar ndonjë person për ta ekzekutuar.
Bazuar në Ligjin për zyrtarët publikë, kryetari i komunës është i obliguar të marrë masa të përkohshme ndaj zyrtarëve të akuzuar për vepra penale gjatë ushtrimit të detyrës. Në nenin 69, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, thuhet:
“Nëpunësja/i civil pezullohet sipas detyrës zyrtare, në rastet si në vijim: 1.5. ndaj nëpunëses/it civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të saj/tij.”
IndeksOnline mëson se Valon Salihu i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit Alban Hyseni, në të cilën e ka informuar me detaje lidhur me këtë çështje, por deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje në lidhje me kërkesën për pezullimin e Entela Hysenit./IndeksOnline/