Cila është gjendja me mangan në liqenin e Badovcit, flasin nga IKSHPK

Ulja e temperaturave ka ndikuar që niveli i manganit në Liqenin e Badovcit të bjerë ndjeshëm, duke bërë që uji të jetë brenda standardeve të pijshmërisë.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) kanë bërë të ditur për IndeksOnlone se cilësia e ujit në rrjetin e furnizimit nga Badovci është brenda kritereve të përcaktuara dhe mund të konsumohet nga njeriu.
“Analizat laboratorike të realizuara gjatë ditëve të fundit në laboratorët e IKSHPK-së tregojnë se vlerat e manganit në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit janë brenda standardeve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK për IndeksOnline.
Sipas të dhënave të fundit, mangani është në nivelin nën 0.05 mg/l, që konsiderohet plotësisht i sigurt sipas standardeve të lejuara.
Andaj qytetarët e Prishtinës dhe zonave që furnizohen nga ky liqen mund të konsumojnë ujë pa shqetësim. /IndeksOnline/