Cilat femra janë më të rrezikuara për t’u prekur nga melazma, maska e zezë e shtatzënësië
Lëkura e fytyrës së shumicës së grave pëson një ndryshim të lehtë në ngjyrë gjatë shtatzënësisë. E quajtur maska e shtatzënësisë, njihet edhe si kloazma ose melazma. Ajo mund të prekë të gjitha gratë shtatzëna, megjithëse më të prira për t’u prekur nga këto njolla, janë ato që kanë flokë të errët dhe lëkurë me ngjyrë të hapur. Melazma shfaqet zakonisht në pjesët e fytyrës, që janë të ekspozuara ndaj diellit, si ballë, tëmtha, mollëza, mjekër, hundë dhe buzën e sipërme. Ajo mund të shfaqet në të dyja pjesët e fytyrës, por në shumicën e rasteve shfaqet vetëm në një pjesë.

Melazma shpesh përkeqësohet ose shtohet nga ekspozimi në diell ose në burimet e tjera të dritës ultraviolet (UV). Këto njolla zhduken zakonisht pas lindjes, ndonëse nuk mund të hiqen plotësisht dhe mund të shfaqen sërish në shtatzënësitë e tjera.
Parandalimi dhe kujdesi. Meqenëse shpeshherë njollat kafe përkeqësohen nga drita e diellit, mbrojeni veten, duke mos iu ekspozuar shumë rrezeve të tij.
*Kur të dilni, qoftë mot me diell apo me re, përdorni gjithmonë krem kundër diellit me faktor mbrojtës (SPF) 15 ose më shumë. Rrezet ultravjollcë të diellit mund të depërtojnë në lëkurë edhe kur qielli është i mbuluar me re.
*Mundohuni të mos dilni jashtë kur dielli është i fortë, sidomos gjatë mesditës.
*Përdorni një kapelë të gjerë, e cila jua mbron mirë fytyrën.
Kujdesi mjekësor: mos përdorni në fytyrë kremra ose agjentë të tjerë që kanë efekt zbardhues. Në rast se njollat kafe janë tejet të dukshme, mjeku ose dermatologu mund t’ju japë një pomadë. Nëse melazma nuk zhduket edhe pasi ka kaluar shumë kohë nga lindja e foshnjës, ju rekomandojmë të këshilloheni me një mjek dermatolog. Ai mund t’ju rekomandojë një krem, pomadë ose një pastrues kimik.
