75 Mall Live Search
11:39 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

Cilat janë shtetet e BE-së, që kërcënojnë Turqinë, ja paralajmërimi që i bëjnë

Shtetet jugore të Bashkimit Evropian thanë se do të hartojnë një listë të sanksioneve kundër Turqisë, nëse Ankaraja nuk vjen në tryezën e negociatave për të zgjidhur një mosmarrëveshje territoriale me Greqinë dhe Qipron.

Paralajmërimi u bë të enjten vonë, pas një samiti joformal të të ashtuquajturit grup MED-7, i kryesuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Greqia dhe Qiproja janë në mosmarrëveshje me Ankaranë rreth rezervave të gazit natyror dhe kufijve detarë.

Turqia, thotë se ka të drejtë për të kërkuar gazin në zonat që dy vendet e BE-së thonë se janë pjesë e zonave të tyre ekskluzive ekonomike.

Grupi MED-7, që përfshin shtetet me vija bregdetare mesdhetare, tha përmes një deklarate të përbashkët se shpreh “mbështetje dhe solidaritet të plotë me Qipron dhe Greqinë, përballë shkeljeve të përsëritura të sovranitetit të tyre, si edhe veprimeve konfrontuese të Turqisë”.

Pozicioni i MED-7 nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e BE-së si tërësi.

Macroni tha se problemi nuk qëndron te populli turk, por te Qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Omer Celiku, zëdhënës i partisë së Erdoganit, shkroi në Twitter se Macroni po shfaq një qëndrim “kolonialist”.

Turqia, ka shprehur dëshirë për t’u bashkuar me BE-në gjatë pesë dekadave të fundit, por analistët thonë se numri në rritje i mosmarrëveshjeve midis Erdoganit dhe udhëheqësve të bllokut i ka zbehur këto perspektiva.