07:41 / E Enjte, 05 Tetor 2017 / indeksADMonline

Cilësia në arsim, përballë Qeverisë dhe fondeve të BE-së

Me rastin e 5 tetorit Ditës Botërore të Mësuesve, sot në Prishtinë organizohet takimi “Liria e mësimdhënies, i fuqizon mësimdhënësit”.

Takimi organizohet nga SBASHK dhe mbështetur nga Edukimi Internacional (EI).

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, tha se presin që mësimdhënësit kosovarë të kenë kushte më të mira për punë.

“Ne po angazhohemi që mësimdhënësit të kenë kushte më të mira dhe të rritet cilësia në arsim”, tha ai në televizionin publik.

Jasharaj vlerësoi se edhe në Kosovë edhe në vende të tjera, arsimi ka pasur test që fatkeqësisht mësuesi ka qenë vetëm si punëtor.

“Në kuadër të kompetencave, mësuesi duhet të ketë më shumë liri, që ai të organizojë më shumë”, tha ai.

Sipas tij, rritja e cilësisë në arsim nuk është prioritet i qeverisë së Kosovës, pasi që shihet se sa ndahet buxhet për këtë fushë që është e ardhmja e Kosovës.

Ndërkohë në Kosovë pritet që pas fondeve që po ofron BE, të investohet në arsim.

Kjo u bë e ditur edhe dje nga vet Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian.

Ai tha se pas ratifikimit të marrëveshjes së IPA-as, ku Kosova përfiton mbi 70 milionë euro, mjetet do të ndahen kryesisht për fushën e arsimit./AktivPress