13:35 / E Diele, 03 Shtator 2023 / LB

Cili është impakti i mërgatës në zhvillimin e ekonomisë në Kosovë?

Impakti i diasporës në zhvillimin e Kosovës është jashtëzakonisht i madh. Të paktën kështu vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, çka do që të bëj Kosova për mërgatën nuk mund t’i falënderoj për kontributin që daton shumë më herët, para, gjatë dhe pas luftës.

Safet Gerxhaliu, njohës i çështjeve të ekonomisë thotë se edhe një herë u dëshmua që në këtë kohë sfiduese për Kosovën, diaspora frymon dhe jeton me Kosovën.

Nuk i  bën nder të thuhet se diaspora dërgon një miliard euro kur dihet se kontributi i diasporës për Kosovën është shumë më i madh se sa vet buxheti i miratuar në Kuvendin e Kosovës. Investimet e diasporës nuk bën të trajtohen si investime të huaja, por si kontribut për zhvillim, Është koha e fundit që institucionet duhet ta kenë një strategji të veçantë për të joshur diasporën të investoj në Kosovë dhe nga ai investim të kemi punësim, teknologji moderne dhe promovim të Kosovës përmes produkteve të Made In Kosova”, ka thënë Gerxhaliu për IndeksOnline.

Më tutje, ai ka thënë se diaspora e meriton që së paku në Prishtinë të ketë sheshin e diasporës, një falënderim për ta që kur të vijnë gjatë sezonit të verës, diaspora të ketë adresën e vet, ku takohen të rinjtë, ka program kulturore-artistik dhe takime e debate mes vete.

Në anën tjetër, Valon Kryeziu, Sekretar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Suedi thotë se pavarësisht të gjithave, askush, nuk mund ta mohoj kontributin e diasporës.

‘Sa i përket impaktit të diasporës në ekonominë e Kosovës, mua më vjen keq pse vendi gjithmonë duhet të jetë në kriza të ndryshme për t’a vlerësuar kontributin dhe ndikimin financiar të mërgimtarëve në ekonominë e Kosovës. Jo më larg se në vitin 2019-2020 dhe 2021 kur vendi u përfshi nga COVID-19 e pamë se kapitali financiar dhe kontributi njerëzor i mërgimtarëve ka ndikim të konsiderueshëm dhe të jashtëzakonshëm në ekonominë e shtetit tone”, ka thënë Kryeziu për IndeksOnline.