Çitaku: Debati për gazin amerikan është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka deklaruar se çështja e gazit amerikan nuk duhet të shihet si një projekt thjesht teknik, por si një vendim me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendit.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se Kosova po përballet me një moment të rëndësishëm sa i përket sigurisë energjetike dhe pozicionimit të saj gjeopolitik.
“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës. Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë. Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike për dekadat që vijnë”, tha ajo.
Sipas saj, pavarësia energjetike është e lidhur drejtpërdrejt me pavarësinë shtetërore dhe aftësinë e shtetit për t’u përballur me sfida të ndryshme.
“Në botën e sotme që po ndryshon vazhdimisht, pavarësia energjetike është pjesë e pandashme e pavarësisë shtetërore. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tankse dhe me armë. Ato zhvillohen me energji, me siguri furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët nga kriza. Prandaj, kur flasim për gazin amerikan, nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri, për ekonomi, për diplomaci, për partneritet strategjik, për të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Çitaku.
Ajo kritikoi qasjen e deritanishme të Qeverisë ndaj projekteve energjetike, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për pengimin e iniciativave që, sipas saj, do t’i siguronin Kosovës pavarësi më të madhe energjetike.
“Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka sabotuar aktivisht, ndonjëherë edhe dhunshëm, çdo projekt i cili do t’i garantonte Kosovës pavarësi energjetike. E sot po i shohim rezultatet e kësaj politike. Kosova po e paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë, importi i energjisë elektrike është shumëfishuar, barra mbi familjet kosovare është rënduar, bizneset po dëmtohen dhe faturat po janë gjithnjë e më të papërballueshme”, deklaroi ajo.
Çitaku tha se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë projekteve strategjike energjetike që, sipas saj, mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ndërkohë që vendet rreth nesh po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre, vetëm Kosova ka mbetur jashtë. Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi të artë që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë mbështetur vazhdimisht”, tha ajo.
Duke folur për angazhimin e PDK-së, Çitaku premtoi se projekti do të rikthehet në agjendën shtetërore nëse partia e saj merr drejtimin e qeverisë.
“Partneriteti me ShBA-të nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete, me projekte konkrete. Prandaj, dua të jem e qartë: Partia Demokratike e Kosovës do ta rikthejë menjëherë këtë projekt në agjendën shtetërore sapo të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e qeverisë. Kosova do të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit e jo spektatore e tyre. Kjo është rruga që zgjedhim ne: rruga e partneritetit, rruga e sigurisë, rruga e zhvillimit, rruga e Kosovës krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi Çitaku.
Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherit kandidati për deputet, Arben Mustafa tha se kostoja e këtij refuzimi është paguar nga qytetarët dhe bizneset e Kosovës.
“Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ka importuar afërsisht 1 miliard euro energji elektrike. Në vend që këto para të investoheshin në kapacitete të reja prodhuese, në modernizimin e sektorit energjetik apo në zhvillimin ekonomik të vendit, ato kanë dalë jashtë Kosovës për të financuar varësinë tonë energjetike. Në të njëjtën kohë, qytetarët kanë paguar çdo vit fatura më të larta të energjisë elektrike. Bizneset kanë përballuar kosto më të mëdha të prodhimit. Familjet kanë përballuar barrë gjithnjë e më të rëndë financiare”, theksoi Mustafa.
Mustafa tha se ekonomia e Kosovës duhet të ndërtohet mbi prodhim, investim, siguri energjetike dhe partneritete strategjike me botën perëndimore.
“Gazi amerikan nuk është vetëm një projekt energjetik. Ai është një projekt zhvillimor. Një projekt ekonomik. Një projekt i sigurisë kombëtare. Dhe një mundësi që Kosova nuk guxon ta humbasë”, shtoi ai.
Mustafa ngriti shqetësimin se kompania NOA Energy Trade, me vetëm një punëtor të regjistruar, ka realizuar rreth 195 milionë euro qarkullim gjatë vitit 2024 dhe rreth 185 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa kompania ETMT, me vetëm një punëtor të regjistruar, nga një qarkullim prej vetëm 90 eurosh në janar 2025, ka arritur në mbi 16 milionë euro qarkullim në janar 2026.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush përfiton nga ky model dhe pse Kosova po mbetet gjithnjë e më e varur nga ndërmjetësit dhe tregtarët e energjisë, në vend që të investojë në prodhimin e vet. Ky është një model i dështuar ekonomik. Një model që shpërblen varësinë dhe jo prodhimin. Një model që pasuron ndërmjetësit, ndërsa faturën ua lë qytetarëve dhe bizneseve. Një model që nuk ndërton asnjë megavat të ri, por prodhon vetëm kriza të reja”, shtoi Mustafa.

