Çitaku e “demolon” Serbinë në OKB: Po tregoni përralla!
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku është duke përfaqësuar në sesionin e radhës të Këshillit të Sigurimit në OKB, ku po flitet për Kosovën.
Ajo tha se është e papranueshme që në katër muajt e fundit tre herë është folur për Kosovën pa asnjë arsye se vetëm po kërkon Serbia.
Çitaku tha se Këshilli i Sigurimit është shndërruar në teatër nga Serbia, transmeton Indeksonline.
“Ky forum është bërë vend për Serbinë për të treguar përralla” tha Vlora Çitaku.
Tutje, Çitaku tha se kjo është një provë që Serbia nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve.
“Serbia vazhdimisht kundërshton idenë që Kosova është e barabartë me të. Prandaj krijojnë drama të panevojshme” tha ambasadorja.
Ajo ka paralajmëruar se Kosova kurrë nuk do të negociojë për shtetësinë e Kosovës, por vetëm si dy shtete të pavarura, derisa Serbia vazhdimisht kundërshton idenë që Kosova është shtet dhe krijon drama kudo që vendi ynë paraqitet si shtet.
“Pse ne duhet të takohemi këtu kaq shpesh dhe të diskutojmë për një univers paralel për të cilin kanë zgjedhur vetë ata. Kërkoj që të mos ia mundësoni vazhdimësinë e kësaj parodie Serbia çdo ditë krijon dramë artificiale për t’iu shmangur pranimit të realitetit, duke vazhduar me absurditete të tilla. Ne nuk do ta ngrimë ekzistencën tonë derisa Serbia ta pranojë Kosovën si shtet të barabartë”, porositi ÇItaku.
Formimin e Ushtrisë së Kosovës, ambasadorja Çitaku e ka quajtur vendim të drejtë dhe që demonstron pjekurinë e Kosovës si shtet. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe, shtoi ajo, nuk ka qenë vendim i lehtë, por ai është marrë si përgjigje ndaj fushatave agresive të Serbisë kundër Kosovës. Çitaku ka përmendur edhe barrierat që Serbia ka vendosur ndaj prodhimeve kosovare, duke mos i lejuar ato të kalojnë nëpër Serbi.
“Vetëm tre për qind të eksporteve të Serbisë janë në Kosovë. Këtu nuk ka krizë humanitare. Ejani dhe shikoni realitetin”, tha ajo.
Pastaj, Vlora Çitaku ia kujtoi Ivica Daçiqi krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë dhe kërkoi që Serbia të mos e kushtëzoi dialogun.
“Ne kemi 20.000 arsye që të kushtëzojmë dialogun, për çdo grua që është dhunuar veç e veç. Ne kemi 1600 arsye, për çdo person veç e veç, që është zhdukur” u shprehë Çitaku.
Ndërsa për ‘Trepçën’, Çitaku tha se nuk do të dialogohet pasi që ajo është e Kosovës.
Pastaj ia kujtoi Daçiqit që UÇK nuk ka qenë organizatë terroriste por kanë qenë djem e vajza që kanë pasur guximin për ta luftuar Millosheviçin.
Po ashtu foli edhe për situatën e serbëve në Kosovë.
“Ka vetëm një qeveri që po ushtron presion mbi qytetarët serb, ajo është qeveria e Beogradit dhe jo e Prishtinës. Beogradi i shfrytëzon serbët si një vegël për politika destabilizuese, ne kemi parë skenarë të tilla edhe në Bosnje”, përfundoi ambasadorja./Indeksonline/