21:20 / E Shtunë, 24 Shtator 2022 / MSH

Çitaku flet për reformimin e PDK-së: Nuk kemi me u ndalë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është shprehur optimiste sa i përket Konventës së PDK-së, me theks të veçantë, sa i përket barazisë gjinore dhe reformave.

Ajo shkroi në facebook se gratë dhe vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do të kenë hapësirën dhe mbështetjen qe e meritojnë.

Çitaku shtoi se reformat e PDK-së kanë qenë ideal edhe të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ky është shkrimi i plotë i saj:

PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër.

Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë.

Por, rrugëtimi ynë nuk ndalet. E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Suksesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë.

Bashkë. 50|50.