75 Mall Live Search
21:12 / E Enjte, 30 Qershor 2022 / OSH

Çitaku ia jep lamtumirën producentës Berisha: Kujtimet i kemi të lidhura me Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka mbajtur një fjalim gjatë çeremonisë së varrimit të producentes, Vjosa Berisha.

Ajo me fjalë madhështore kujtoj miken e saj, Vjosën.

Çitaku tha se kujtimet për Vjosën do t’i ketë të lidhura ngushtë me Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Kur kam qenë e re, Vjosën e admiroja. Kur jam rrit pak edhe jam tut ngapak si nga një motër e madhe. E ma vonë e kam dasht Vjosën si një motër e vogël. Vjosa për mua ka ekzistu në të gjitha këto kohëra, gjithmonë e kam admiruar dhe e kam dasht fort.

Në çdo gjë që ka bërë Vjosa e ka synuar të përkryerën, çdo gjë që ka bë Vjosa ka qenë e jashtzakonshme, e parëndomtë, e veçantë. Vjosa i ka refuzuar e me guxim i ka shkel kufijtë që ia ka imponuar shoqëria. Vjosa i ka rrënuar urat e barrierat që të tjerët i kanë ndërtuar për ta shtypur gruan. Për Vjosën, as qielli nuk ka qenë limit. E sot në qiell po shkon.

Vjosa para së gjithash ka qenë njerëzore, suksesin nuk ka dasht me mbajt vetëm për vete.

Për mua kujtimi për Vjosën do të mbetet i lidhur me kujtimet për Ditën e Pavarësisë. Gjithçka që ne kemi pa atë ditë dhe gjithçka që ne kemi shijuar e kanë pas dorën e Vjosës. Në çdo përvjetor të Pavarësisë do ta kujtoj Vjosën, do ta admiroj për trashigiminë që na ka lënë dhe do përpiqem me ia zbardh fytyrën.

Në çdo 17 shkurt Vjosa do të jetë me ne, në çdo ecje në tepih të kuq Vjosa do të jetë me ne, në çdo festival Vjosa do të jetë me ne, në çdo lojë futbolli Vjosa do të jetë me ne”, tha ajo.

Në çeremoninë mortore të saj morën pjesë figura të shumta publike nga bota e artit dhe filmit, përfshirë të vëllanë e të ndjeres, Shkumbin Istrefi, kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Robert Berisha, Eshref Durmishi, Mensur Safqiu, e të tjerë.

Producentja Berisha ndërroi jetë të enjten e kaluar, në Mbretërinë e Bashkuar, ku po trajtohej për sëmundjen e kancerit./IndeksOnline/