75 Mall Live Search
20:12 / E Hënë, 27 Tetor 2025 / Burim

Çitaku: Pesë vitet e Kurtit në pushtet ishin izolim, varfërim e ikje masive të qytetarëve tanë

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka shkruar se pesë vitet e Kurtit në pushtet ishin izolim, varfërim e ikje masive të qytetarëve.

Ajo a shkruar se Kurti nuk ka lënë vlerë pa nëpërkëmbur e njeri pa fyer, ndërsa sot sipas saj, i njëjti fliste sërish për nevojën që ai të fitojë “referendumin”, jo zgjedhjet.

“Njeriu që nuk ka lënë vlerë pa nëpërkëmbur e njeri pa fyer, sot fliste sërish për nevojën që ai të fitojë “referendumin”, jo zgjedhjet. Sepse për të, qeverisja ka kuptim vetëm nëse sundon i vetëm. Po e kemi parë tashmë se çfarë do të thotë sundimi i tij”, ka shkruar Çitaku, raporton IndeksOnline.

Postimi i plotë:

Konferenca e sotme për shtyp, që duhej të mbahej në selinë e Vetëvendosjes e jo në ndërtesën e Qeverisë, do të ishte material i mirë për komedi sikur Kosova të mos ishte në gjendjen e rëndë ku ndodhet sot.

Për nëntë muaj me radhë, A.K. na ka thënë se i ka numrat.

Sot, me nënqeshje ironike, pranoi se i paska pasur “verës”, me votim të fshehtë, por tani nuk i paska më.

Ndërkohë, Kosova është e izoluar, nën sanksione, me ekonomi të rënduar e me çmime të papërballueshme për familjet tona.

Por për A.K., shteti është skenë teatri dhe qytetarët publik që duhen argëtuar me shfaqjen e radhës.

Njeriu që nuk ka lënë vlerë pa nëpërkëmbur e njeri pa fyer, sot fliste sërish për nevojën që ai të fitojë “referendumin”, jo zgjedhjet.

Sepse për të, qeverisja ka kuptim vetëm nëse sundon i vetëm.

Po e kemi parë tashmë se çfarë do të thotë sundimi i tij.

Pesë vite me pushtet absolut.

Rezultatet? Izolim, varfërim, ikje masive të qytetarëve tanë.

Jo më, A.K.

Tashmë nuk je më i pasprovuar. Populli e di kush je dhe çfarë sjell qeverisja jote.