City i kundërpërgjigjet Liverpoolit, het-trik nga Sterling
Manchester City i kundërpërgjigjet Liverpoolit me një tjetër goleadë duke ja bërë të qartë skuadrës së Klopp se kampionët në fuqi dhe favoritët në garën për titull në Angli janë sërish ata.
Citiziens fituan me rezultatin e thellë 0-5 në transfertën londineze ndaj West Ham që rezistoi mirë deri në minutën e 25-të kur Gabriel Jesus zhbllokoi shifrat.
Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë ndërkohë që në fraksionin e dytë City e çmontoi fare West Hamin me Raheem Sterling që u bë protagonist me një tregolësh ndërkohë që shënoi edhe Aguero që i ardhur në fushë nga stoli gjeti golin e parë sezonal me 11-metërsh.
5 gola që në start për Manchester City-n që mori tre pikët e para dhe falë goleavarazhit u ngjit menjëherë në krye të Premier Leagues.