75 Mall Live Search
20:37 / E Shtunë, 06 Prill 2019 / indeksADMonline

City synon tripletën, kalon në finalen e FA Cup

Skuadra e Manchester City ka triumfuar në gjysmëfinalen e FA Cup ndaj Brighton, pasi mposhti këtë të fundit me rezultatin e ngushtë 1-0.

Tashmë ekipi i udhëhequr nga trajneri Pep Guardiola ka siguruar finalen dhe pret të dielën të njohë finalisten tjetër që do të dalë nga përballja mes Watford dhe Wolves.

Në fakt, goli i realizuar nga Gabriel Jesus që në minutën e 4’ krijoi iluzionin se City do të fitonte lehtshëm dhe thellë, por në të vërtetë, gjithçka rezultoi ndryshe.

Ekipi modest i Brighton ka vështirësuar maksimalisht misionin e “Qytetarëve”, të cilët gjithsesi edhe pse ishin poshtë të gjitha pritshmërive në lojë, arritën të menaxhojnë si duhet hipotekimin e fitores.

Tashmë Manchester City është në lojë për të tre kompeticionet e mbetura dhe në rrugën e duhur për të shkruar historinë, pse jo për të hipotekuar katër trofetë sezonalë.

Pasi më parë kanë ngritur në qiell Carabao Cup, tashmë Guardiola me të tijtë kanë hipotekuar finalen e FA Cup, duke qenë në lojë për titullin kampion në Premier League në sfidë me Liverpool, e gjithashtu pretendentë në Champions League.