12:58 / E Diele, 12 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Çka duhet të bëjë Haradinaj që të mos arrestohet sërish nga flet-arresti i Serbisë?

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit ndonëse mban postin e shefit të ekzekutivit, kështu të paktën shkruan agjencia e lajmeve “Reuters” duke iu referuar flet-arrestit të lëshuar nga Serbia.

Mirëpo, avokati kosovar, Tomë Gashi thotë se shefi i Qeverisë duhet të shfrytëzonte çdo mjet juridik dhe të bëjë presion nga bashkësia ndërkombëtare, pra, presion normal shtetëror juridik, që flet-arrestet të hiqen sa më shpejtë.

“Sa i përket cilësisë së tij prej kryeministri kjo nuk e parandalon që të arrestohet dhe nuk ka imunitet, mirëpo për çdo udhëtim duhet të jetë i kujdesshëm. Përveç tek shtetet që nuk do të realizohet flet-arresti, Gjermani apo shtetet e tjera që ka udhëtuar”, ka thënë Gashi për “Indeksonline”.

Më tej, ai thotë se tash është “në duart” e Haradinajt që i njëjti ti përdorë të gjitha mjetet ligjore.

“Nuk ma merr mendja që do të lejojë ai që për herë të tretë të arrestohet me flet-arreste të Serbisë pas dy herë ishte ndalur, njëherë në Slloveni për disa orë dhe herën e kaluar për disa muaj në Francë.

“Në cilësinë e kryeministrit i ka të gjitha mjetet ligjore, e ka autoritetin shtetëror të Kosovës që të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare që të hiqen gjitha flet-arrestet të tij dhe të tjerëve që kanë të bëjnë me konotacion politik. Serbia thuajse për gjithë ish-komandantët dhe ushtarët e UÇK-së ka dërguar flet-arreste dhe ato i ka shpërnda në Interpol”, është shprehur ai.

Tutje, Gashi ka shtuar se në rast se Serbia gjen prova për ta arrestuar Haradinajn atëherë duhet t’ia dorëzojnë te kryeprokurori i Shtetit të Kosovës.

Por, sipas tij, nëse të njëjtit nuk i besojnë me arsyetimin se është kosovar, atëherë e kanë mundësinë që ato prova t`i përcjellin përmes dy organizatave të huaja të sundimit të ligjit.

“Është çështje shumë e thjesht për të kuptuar. Nëse Serbia ka prova kundër Ramush Haradinajt apo kujtdo tjetër ajo me siguri se ka mund t’i dërgojë në Kosovë te kryeprokurori z. Aleksandër Lumezi, mirëpo nëse këtë të fundit nuk i beson Serbia pasi është shqiptar, atëherë të gjitha këto flet-arreste kanë mundur të dërgojnë që nga 99-ta e deri në ditën e sotme përmes misioneve të huaja të sundimit të ligjit përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it” ka përfunduar Gashi.