75 Mall Live Search
15:04 / E Enjte, 11 Shtator 2025 / P M

Çka fituam me Suedinë?

Shkruan: Driton Latifi

Fitorja e së hënës përveç se na ngriti në qiell emocionet e adrenalinën ka sjellur përfitime të shumëfishta për Kosovën.

Rezultati, pikët janë një, por jashtë saj ka shumëçka që nuk e kemi kalkuluar. Ekipi dëshmoi vetëbesim, moral e karakter duke u kthyer pas një humbje që vështirë harrohet aq shpejt.

Bota na kujtoi se fituam vetëm ndeshjen e parë si vendas në kualifikime për Kupën e botës dhe vetëm të dytën në këtë nivel kualifikimesh. Fituam Gallapenin, atë që e kishin pasur këtu te Prishtina deri para pak javësh dhe që e vrejtën të parët polakët dhe kjo tregon se ka shumë tjerë për t’u fituar në AlbiMall Superligën tonë.

Fituam pa tre lojtarët kryesor (kapiteni Rrahmani, fantazisti Zhegrov e sulmuesi Rashica), mungesa e tyre ishte favorizim për fitore formale të suedezëve, por djemtë tanë të tjerë kishin vendusur që vërtetë të lënë shpirtin në fushë për fitore.

Dhe ky fakt shënon një rritje të veçantë për ekipin, duke përforcuar grupin para individit. Fituam Rexhebeqajn, rifituam Aron, në fakt i rifituam të gjithë duke dëshmuar atë që e ëndërrojmë nga dita e mbijetesës e deri te pranimi ndërkomblëtar.

Fituam edhe kritika, në fakt shpërtheu Aliti, ndonëse kishte më së paku arsye, dëshmoi se fyerjet, nënçmimi dhe personalizimi në disa debate nuk janë pjesë e gazetarisë normale, edhe pse komunikimi publik këtë nuk e toleron, rezistenca për kritikë profesionale gjithmonë e më pak po i mbijeton shijes së opinionit që kërkon në çdo paraqitje “Reality Show”. Mëria e nxjerr në opinion nga njëra apo pala tjetër nuk duhet ekzistuar, kritika ka me pas dhe me këtë duhet mësuar lojtarët, por jo fyerje e denigrim.

Fituam shumë promovim për Kosovën, madje pa fund, nuk ka pasur medium botëror që në titull nuk ka përmendur vendin tonë me tone pozitive dhe kur kjo këmbehet në vlerë investimi monetar për Public Relation kap shifrën e 1 miliardë euro, pra një reklamë falas me sukses. Madje edhe vet presidenti i FIFA-së, Infantino na bëri me sy me një postim në mediat sociale.

Fituam edhe zemrat e atyre që mund të kenë mëdyshje nëse duhet të vijnë, sepse ky ekip di të luaj, ka moral, përgjegjësi dhe sidomos di të fitojë me stil, ndërsa pas kësaj mund të ëndërrojmë për më shumë, sepse secili ekip nesër që takohet do të kujtoj këtë fitore.

Dhe në fund pas gjithë asaj katrahure që kemi krijuar në opinon duhet dhënë edhe meritat lojtarëve, trajnerit Foda, Dardanëve, Federatës së futbollit të Kosovës edhe vet presidentit Agim Ademi… Urime, por ne do të jemi sërish kritikues, ndonëse shpresoj më të përmbajtshëm e profesional.