08:32 / E Shtunë, 25 Janar 2020 / indeksADMonline

Çka mësoi Grenell për LVV-në e LDK-në gjatë vizitës në Kosovë?

I dërguari Special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell gjatë kësaj jave qëndroi në Kosovë, ku zhvilloi takime me liderët politikë, Hashim Thaçi, Albin Kurti dhe Isa Mustafa.

Takimi me Kurtin e Mustafën u pa si një llojë presioni për të ndërtuar sa më parë koalicionin qeverisës, transmeton Indeksonline.

Analisti i njohur, Faton Abdullahu për Indeksonline tha se, Grenell ka kuptuar që tek LDK e VV përveç dallimeve e mos pajtimeve janë të ndërlidhura edhe interesat partiake, klanore e individuale.

“Jo vetëm pse ka munguar gatishmëria për të bërë qeveri, por edhe pse ka pasur në njërën anë, akuza e sulme të ndërsjella dhe mosbesim të vazhdueshëm ndërmjet LV-së dhe LDK-së, si duket SHBA-t kanë kuptuar se arritjes së kësaj marrëveshje nuk i mungon vetëm një ndihmë e vogël dhe sugjerim miqësor nga SHBA. Përfaqësuesi special Grenell ka kuptuar se përveç kësaj, dallimet dhe mospajtimet ndërmjet LV-së dhe LDK-së për ta bërë qeverinë janë posaçërisht të ndërlidhura edhe me interesa partiake, klanore e individuale gjë që besoj ka ndikuar shumë që ai ka hezituar të ketë çfarëdo qasje tjetër përveç se anashkaluese ndaj zhvillimeve për krijimin e qeverisë. “, u shprehë Abdullahu.

Sipas analistit të njohur, Grenell nuk mund të involvohet në negociatat mes dy partive.

“Grenell nuk mund të involvohet në negociatat LV – LDK tu siguroj atyre që të fitojnë më shumë se që kanë fituar në kutitë e votimit as edhe të fitojnë në dëm të njëra tjetrës.”

“Thënë ndryshe, nuk janë SHBA-t dhe përfaqësuesi Grenell që anashkalojnë, apo aq më pak, nuk duan ta përkrahin krijimin e qeverisë së Kosovës, por thjeshtë është LV dhe LDK që e kanë mbyllur këtë mundësi, me mungesën e vetëdijes shtetndërtuese dhe prirjes për të qenë aktiv në gjeopolitikat evro-atlantike të udhëhequra nga SHBA-t. Për më shumë e kanë bërë gati të pamundur që tu besohet se ato bashkë mund të jenë në nivel të detyrave dhe përgjegjësive që do t’i dalin para gjatë qeverisjes.”, u shprehë ai.

Mbrëmë Indeksonline raportoi se Albin Kurti me disa zyrtarë të LVV-së i kanë shkuar në shtëpi, liderit të LDK-së, Isa Mustafës për të negociuar rreth formimit të koalicionit.

Kurti ka afat deri me 4 shkurt që të siguroi votat në Kuvendin e Kosovës që të bëhet kryeministër. /Indeksonline/