22:58 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Çka mund ndodh nëse dështon Demarkacioni?

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Investime Strategjike pritet që më 26 dhjetor ta shqyrtojë raportin e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Pas kësaj, i mbetet kryesisë së Kuvendit të thirr seancën në të cilën edhe pritet të qitet në votim marrëveshja për Demarkacionin e nënshkruar nga Kosova dhe Mali i Zi.

Kjo marrëveshje e cila është dërguar edhe më parë në Kuvendin e Kosovës, nuk ka kaluar, pasi shumica e deputetëve ishin kundër që ajo të kalojë.

Në këtë mënyrë, edhe tash pothuajse të njëjtat parti politike kanë deklaruar se do kundërshtojnë votimin e saj në parlament.

Por, edhe nëse kësaj radhe dështon ajo, kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e Malit të Zi.

Kështu tha për Indeksonline, njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova, i cili shtoi se megjithatë beson se Qeveria do e gjejë një mënyrë që kësaj radhe Demarkacioni të votohet.

“Unë besoj qe qeveria do ta gjejë mënyrën për ta kaluar demarkacionin, me ndonjë premtim nga pala Malazeze për ndonjë rishikim eventual pas ratifikimit, nëse pala kosovare ofron ndonjë fakt të fortë mbi ndryshimin eventual të kufirit. Ne rast se demarkacioni dështon, unë besoj qe kjo nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Malit te Zi, sepse Mali i Zi nuk ka arsye të ndryshoje qëndrim, sepse ata kanë ratifikuar marrëveshje e cila është nënshkruar nga dy palët, plus vetë pala kosovare nuk është e njësuar në qëndrim”, ka thënë Sallova.

Për këtë arsye, ai thotë se nuk do të ketë shumë alternativa, veçse të kalohet demarkacioni.

“Prandaj, nuk do ketë shumë alternativë, veç se të kalohet demarkacioni, si akt që e përplotëson qenësinë ndërkombëtare të Kosovës. Në të ardhmen grupe të specializuara, të pavarura, të pa ndikuara politikisht mund të merren pa presion me këtë çështje dhe një rezultat i fortë shkencor t’i prezantohej Malit të Zi si kontest eventual për t’u zgjidhur”, ka shtuar ai./Indeksonline/