14:24 / E Premte, 18 Shtator 2020 / indeksADMonline

Ç’po ndodh me hapjen e shkollave në Kamenicë? Flet drejtoresha e Arsimit

Komuna e Kamenicës ka një vit që kur po përpiqet të riorganizojë mësimin brenda saj. Kryetari i saj Qëndron Kastrati, ka nisur reformën atje, duke mbyllur disa shkolla në fshatrat e kësaj komune e të cilat kishin numër të vogël të nxënësve.

Në këtë vendim të tij pati e po vazhdon të ketë rezistencë nga prindërit, të cilët nuk po duan t’i dërgojnë larg vendbanimeve të tyre fëmijët.

Ndërkohë tani me nisjen  e procesit mësimor në mbarë vendin, fat të njëjtë nuk patën nxënësit e 7 fshatrave të Kamenicës. Bëhet fjalë për  fshatrat: Busavatë, Poliqkë, Karaqevë, Shipashnicë, Kopernicë, Dajkoc e Desivojsë.

Në lidhje me situatën atje ka folur për IndeksOnlinen drejtoresha e kësaj komune për Arsimit, Mirihane Morina.

“Në fakt tri shkolla me paralele të ndara janë fuzionuar në shkolla të tjera në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim. Për momentin në disa lokacione kemi rezistencë, ndërkohë që në disa të tjera vendimi për riorganizim është në zbatim”, tha Morina për IndeksOnlinen.

Në anën tjetër edhe në Kuvend çështja e këtyre shkollave u ngritë nga ana e deputetëve, për çka Ministri i Arsimit Ramë Likaj u zotua se gjatë të hënës në një takim me kryeministrin Avdullah Hoti si dhe kryetarin e kësaj komunë e përfaqësuesit e prindërve do të përpiqen ta gjejnë një zgjidhje.