Çka po ndodhë me Ligën Unike, cilat ekipe do të marrin pjesë? – Drejtori, Dren Zatriqi flet për Indeksonline

Federata e Basketbollit e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës firmosën gjatë këtij viti për krijimin e një Lige Unike.
Ajo planifikohej të fillonte në muajin tetor, por për shkak të masave të marra nga Qeveria e Shqipërisë, ajo nuk dihet se kur do të filloj.
Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi në një intervistë për Indeksonline ka folur në lidhje se çka është duke ndodhur me ligën mbarëkombëtare dhe se kur pritet që të filloj.

“Liga Unike pritet të filloj në momentin që një gjë e tillë lejohet nga organet kompetente, në këtë rast Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, ne tanimë i kemi përgatitur dy skenarë dhe në momentin që e kemi dritën e gjelbërt nga Ministria përkatëse ne do ta organizojmë fillimin e kampionatit ne kohe rekorde. Këtë e them pasi që të gjitha përgaditjet për mbarëvajtjen e garave janë përfunduar me sukses. Këtu përfshihen krijimi i identitetit te Ligës Unike, çështjet ligjore dhe administrative, rregullorja e garave si dhe plani i marketingut”, tha fillimisht Zatriqi.
Tutje, ai tregoj se cilat ekipe nga Kosova dhe Shqipëria do të marrin pjesë në Ligën Unike.
Që nga fillimi Liga Unike është konceptuar që në kampionatin e parë të startoj me 8 skuadra, ku 4 nga to përbëhen nga kampionati i Kosovës në basketboll, ndërsa 4 tjera nga kampionati i Shqipërisë në basketboll. Në baze të të njëjtit koncept, skuadrat janë përzgjedhur në baze të rënditjes përfundimtare të kampionateve paraprake nacionale.
“Federatat themeluese (FSHB dhe FBK) i kanë nominuar skuadrat nga kampionatet nacionale.”
“Nga Kosova janë nominuar: KB Peja, KB Sigal Prishtina, KB Rahoveci dhe KB Golden Eagle Ylli. Me këto klube ne kemi pas edhe takime të drejtpërdrejta ku kemi prezentuar planet dhe mbarëvajtjen e garave. Dëshira e madhe për pjesëmarrje në Ligen Unike është evidente nga këto klubet dhe ato mezi s’presin që të kenë paraqitje sa më të mirë në këtë kompeticion.”
“Sa i përket klubeve nga Shqipëria janë nominuar: Goga Basket, Vllaznia, Teuta dhe Partizani. Vlen të theksohet se për shkak te ndalesave te imponuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, aktivitetet e klubeve janë të pezulluara dhe si të tilla nuk mund te ndryshohen përderisa gjendja me Covid19 nuk përmiresohet”, përfundoj Zatriqi./Indeksonline/