Çka thanë gjyqtarët e ndeshjes Las Palmas – Mallorca për gjestin e Muriqit?

Në minutat e fundit të ndeshjes mes Las Palmasit dhe Mallorcas u mor vendimi më i pabesueshëm i stinorit në La Liga dhe me gjasë edhe i viteve të fundit.
Kështu shkruan gazeta e madhe spanjolle “Marca” për rastin në të cilin Vedat Muriqi u ndëshkua me karton të kuq.
Mallorca fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Las Palmasit, të shtunën mbrëma, ndërsa Muriqi u ndëshkua direkt me të kuq për veprim të pahijshëm në minutën e 88-të.
Megjithatë, ai fillimisht u provokua nga lojtari kundërshtar.
Të përfshirë ishin Jaime Mata dhe Muriqi dhe arbitrat Muniz Ruiz e Pizarro Gomez.
Diskutimi i bërë mes arbitrit në fushë dhe atij në VAR është publikuar disa orë pas ndeshjes. Dhe është bërë e qartë se si rrodhi e gjithë ngjarja.
Fillimisht sinjali erdhi nga dhoma e VAR-it për arbitrin në fushë.
“Alejandro, të rekomandoj rishikimin e një veprimi të Muriqit që ia tregon gishtin ofensiv lojtarit të Las Palmasit”.
Pas këtij sugjerimi, Muniz Ruiz e pyeti arbitrin në VAR nëse e ka fjalën për gishtin e mesëm. Pasi kjo i konfirmohet, Ruiz i afrohet monitorit dhe konfirmon se sulmuesi i Mallorcas ia tregon gishtin e mesëm lojtarit të Las Palmasit, i “provokuar qartë fillimisht nga Jaime Mata”.
“Ka provokim, duhet të shkojmë në goditje indirekte. Mbi të gjitha provokimi është i qartë. Do t’i jap karton të verdhë për provokimin që ndodhi më parë. Më pas karton të kuq për Muriqin për veprimin, dhe pasi topi është në lojë do të rifilloj atë me një goditje indirekte”, ka thënë arbitri në fushë në komunikimin me arbitrin në dhomën e VAR-it.